SHBA: Rusia përpiqet të minojë besimin në vaksinat perëndimore

Shtetet e Bashkuara kritikuan publikisht “fushatën e dezinformimit” në Rusi, e cila, siç thanë, synon të minojë besimin në vaksinat kundër koronavirusit, të prodhuara në SHBA.

“Shihet shumë qartë se Rusia bën mashtrime të vjetra. Duke bërë kështu, ajo – potencialisht – rrezikon jetë njerëzish, që ne shpëtojmë çdo ditë”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.

Komentet vijnë pasi gazeta Wall Street Journal raportoi më 7 mars për gjetjet e Qendrës Globale të Angazhimit – një degë e Departamentit të Shtetit – se inteligjenca ruse qëndron prapa katër platformave në internet, të përfshira në një fushatë të koordinuar.

Sipas Wall Street Journal, ueb-faqet flasin për gjoja rrezikun e vaksinës Pfizer, të prodhuar në SHBA, në përpjekje për të rritur besimin në vaksinën Sputnik V, të prodhuar në Rusi.

Ueb-faqet japin një pamje negative për vaksinat, pa siguruar informacione për sigurinë dhe efikasitetin e tyre, shkroi Wall Street Journal.

Price tha se ueb-faqet në fjalë “përfshijnë dezinformata për dy nga vaksinat e miratuara deri më tani“ nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA.

Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha gjatë një konference për media se autoritetet do ta luftojnë dezinformimin “me çdo mjet që kanë”.

Vaksinat perëndimore kundër koronavirusit u miratuan pasi testimet e rrepta dhe masive treguan se ato janë mbi 90 për qind efikase, pasi të jepen me nga dy doza.

Vaksinat perëndimore konkurrojnë me Sputnik V – vaksinën ruse, e cila, në një testim masiv, gjithashtu tregoi efikasitet prej më shumë se 90 për qind.

Ueb-faqet e identifikuara nga Qendra Globale e Angazhimit, përfshijnë New Eastern Outlook dhe Oriental Review, të cilat thuhet se kontrollohen nga Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR), dhe News Front, i cili mendohet se drejtohet nga Shërbimi Federal i Sigurisë në Rusi (FSB). News Front ka selinë në Krime – rajonin ukrainas të ankesuar nga Rusia.

Sipas një raporti të Aleancës për Demokracinë e Sigurisë – një iniciativë jopartiake që studion dezinformimin nga qeveritë autokratike – objektiv kryesor i fushatës ruse është vaksina Pfizer.

“Denigrimi i Pfizerit bëhet pjesërisht për shkak të statusit të tij si vaksina e parë, pas Sputnik V, që përdoret në mënyrë masive, duke rrezikuar potencialisht dominimin e Sputnikut në treg”, thuhet në raportin e Aleancës.

Agjencia e lajmeve AFP raportoi se në një vlerësim për të vitin e kaluar, Qendra Globale e Angazhimit tha se mijëra llogari të mediave sociale, të lidhura me Rusinë, kanë udhëhequr një fushatë të koordinuar, për të minuar deklaratat zyrtare për sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi.

Pas raportit të gazetës Wall Street Journal, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, mohoi se agjencitë ruse të inteligjencës janë duke shpërndarë dezinformacione për vaksinat perëndimore.

Qendra e Departamentit të Shtetit zbuloi se edhe Kina, për një kohë të shkurtër, ka bërë përpjekje të ngjashme kundër vaksinave perëndimore, por në fund, siç u tha, ka vendosur se është më e dobishme që të vihen në dukje përpjekjet e saj për vaksinën, sesa të përçmohen versionet e tjera.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga koronavirusi. Mbi 29 milionë njerëz janë infektuar atje dhe mbi 525,000 kanë vdekur.

Deri më tani, mbi 90 milionë vaksina janë administruar në SHBA.

Tri vaksinat e miratuara atje janë: Pfizer/BioNTech, Moderna dhe Johnson & Johnson.

Rusia është e katërta në botë me numër të të infektuarve me koronavirus: mbi 4 milionë. Afro 88,0000 njerëz atje kanë humbur jetën nga koronavirusi. REL