Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, Foto: REL

SHBA-ja mirëpret lirimin e gazetarit të REL-it në Bjellorusi

Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur lirimin e korrespondentit të Radios Evropa e Lirë, Aleh Hruzdzilovich, i cili ishte dënuar me 18 muaj burgim nga autoritetet bjelloruse.

Hruzdzilovich u dënua me burgim nën dyshimet se kishte marrë pjesë në protestat anti-qeveritare që po mbulonte si gazetar i akredituar.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, duke komentuar lirimin e Hruzdzilovichit dhe të burgosurve të tjerë politikë në Bjellorusi, tha se ky vendim i autoriteteve bjelloruse “është hap në drejtimin e duhur”, por duhet bërë më shumë.

“Shumë të burgosur politikë vazhdojnë të jenë pas grilave në Bjellorusi”, tha Price përmes një deklarate më 25 shtator. “Ne bëjmë thirrje për lirim të menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë të burgosurve politikë”.

Hruzdzilovich arriti në Lituani më 21 shtator i shoqëruar nga gruaja e tij, Maryana, pasi u lirua nga një burg në rajoni Mahilju, ku ishte mbajtur që nga muaji maj.

Presidenti i REL-it, Jamie Fly, që më herët kishte dënuar burgosjen e Hruzdzilovichit duke e cilësuar si “joligjore”, mirëpriti lirimin e tij.

Hruzdzilovich që nga vitet ’90 është korrespondent i Radios Evropa e Lirë dhe raportimet e tij janë përqendruar mbi të drejtat e njeriut.

Presidenti i REL-it po ashtu ka theksuar se janë edhe dy bjellorusë që gjenden në burg, një konsulent i REL-it dhe blogeri Ihar Losik, dhe bashkëpunëtori i REL-it, Andrey Kuznechyk, duke kërkuar lirimin e tyre të menjëhershëm.

Një gjykatë në Minsk e dënoi Hruzdzilovichin në fillim të marsit, për shkak të pranisë së tij në protestat masive që u organizuan për të kundërshtuar rezultatin zyrtar të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, në të cilat lideri autoritar Alyaksandr Lukashenka, pretendoi fitoren dhe mori mandatin e gjashtë radhazi. Hruzdzilovich u urdhërua që të paguante një gjobë prej 16.600 dollarësh për agjencinë e transportit të qytetit, Mensktrans.

Hruzdzilovich u arrestua në dhjetor pas shtypjes së ashpër të autoriteteve bjelloruse ndaj mediave të pavarura, aktivistëve për të drejtat e njeriut dhe institucioneve demokratike. Opozita dhe Perëndimi thonë se rezultatet e zgjedhjeve presidenciale u manipuluan dhe se kandidatja opozitare, Svyatlana Tsikhanouskaya, ka fituar zgjedhjet./REL