Glynn Simmons, Foto: NEWS9, Oklahoma City KWTV

SHBA: Gjykata e Oklahomas e shfajëson të burgosurin pas 48 vitesh burg

Një gjyqtare i Oklahomës e ka shfajësuar një burrë që ishte në burg për gati gjysmë shekulli për një vrasje në vitin 1974, dënimi më i gjatë i gabuar që është mbajtur në SHBA.

Glynn Simmons, 70 vjeç, u lirua në korrik kur një gjykatës urdhëroi një gjyq të ri ndaj tij.

Mirëpo, një prokuror i qarkut tha të hënën se nuk kishte prova të mjaftueshme për ta garantuar një të tillë.

Me një urdhër të martën, gjyqtarja e qarkut të Oklahomas, Amy Palumbo e shpalli Simmons të pafajshëm.

“Kjo gjykatë gjen me prova të qarta dhe bindëse se vepra për të cilën Simmons u dënua dhe u burgos… nuk ishte kryer nga Simmons” – ka thënë ajo në një vendim.

Simmons kishte vuajtur 48 vjet, një muaj e 18 ditë burg për vrasjen e Carolyn Sue Rogers gjatë një grabitjeje në një dyqan pijesh alkoolike në periferi të Oklahoma City. Kjo e bën atë të burgosurin më jetëgjatë që është liruar, sipas Regjistrit Kombëtar të Shfajësimeve.

Simmons ishte 22 vjeç kur ai dhe një i pandehur tjetër, Don Roberts, u gjetën fajtorë dhe u dënuan me vdekje në vitin 1975.

Dënimet më vonë u reduktuan në burgim të përjetshëm për shkak të vendimeve të Gjykatës së Lartë të SHBA-së për dënimin me vdekje.

Simmons kishte thënë se ishte në shtetin e tij të lindjes, Luiziana në kohën e vrasjes.

Një gjykatë e qarkut e liroi në korrik pasi konstatoi se prokurorët nuk ia kishin dorëzuar të gjitha provat avokatëve mbrojtës, duke përfshirë se një dëshmitar kishte identifikuar të dyshuar të tjerë.

Simmons dhe Roberts u dënuan pjesërisht për shkak të dëshmisë nga një adoleshent që ishte qëlluar në pjesën e pasme të kokës. Adoleshenti tregoi me gisht disa burra të tjerë gjatë rreshtimit të policisë.

Personat e dënuar gabimisht që shërbejnë në Oklahoma kanë të drejtë për kompensim deri në 175 mijë dollarë.

Simmons aktualisht po lufton me kancerin e mëlçisë, sipas GoFundMe, i cili ka mbledhur mijëra dollarë për të ndihmuar në shpenzimet e tij të jetesës dhe kimioterapisë./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala