Pamje nga varrimi i Shaqir Krasniqit - Foto: KALLXO.com

Shaqir Krasniqi ishte kërcënuar mbi 20 herë para se të vritej

Shaqir Krasniqi ishte bërë pjesë e UÇK-së si 22-vjeçar. Ai ishte plagosur në Prilep të Deçanit ndërsa për shërimin e tij ishte dërguar në Gjermani, për t’u kthyer serish në luftën e Koshares.

Nëna e Shaqirit, Lushe Krasniqi, ka thënë se ka qenë me Shaqirin kur i kanë telefonuar dhe e kanë kërcënuar se do ta vrasin.

Dosja e lëndës tregon se Shaqir Krasniqi i kishte paralajmëruar institucionet se diçka e keqe pritej t’i ndodhte.

Ai kishte dhënë deklaratë në TMK e në UNMIK për planet se dikush po planifikonte ta vriste.

“Fill mbas lufte ai nuk e dinte, rrinte shlirë, thoshte s’kam tutë prej kurrkujt. ia filloi punës në TMK si kapiten. Dy javë pasi diplomoi, kemi bo banket e kreu akademinë tre muaj ditë, dy javë pasi diplomoi e vranë. M’kallxonte që ka kërcënime në telefon. E thirrshin dhe në telefon ia lëshojshin automatin” – ka thënë Lushe Krasniqi në emisionin “Kallxo Përnime”.