Rrëfimi i nënës se si u vra pas luftës ish ushtari i UÇK-së - VIDEO

“Në momentin kur kemi hipur mbi urën e Bistricës dy herë na kanë gjuajtur ka një herë, pastaj ka pasur shumë të shtëna. Unë veç një vend në dorë kam qenë e plagume e atë këtu në mjedis 31 plumba i ka pasur, këputur e kanë në trup, edhe ka piskatur ‘oh nënë të vranë’,  thash jo mua por ty. Dy ose tri fjalë i ka thanë edhe e ka leshu shpirti në vend Shaqirin”.

Ky është rrëfimi i Lushe Krasniqit, nëna e Shaqir Krasniqit, ish luftëtarit të UÇK-së, i cili ishte edhe kapiten në TMK, në emisionin #KallxoPernime për momentin e mbrëmjes së 6 prillit të vitit 2004, ditë kur djali i saj Shaqir Krasniqi, mbeti i vrarë, ndërsa ajo u plagos nga plumbat e kallashnikovit që ishin drejtuar drejtë veturës së tyre.

Ngjarja kishte ndodhur jo shumë larg shtëpisë së tyre, vetura ishte goditur në afërsi të urës së lumit Bistrica në fshatin Grabanicë të Klinës.

Nëna e Shaqirit, Lushe Krasniqi ka rrëfyer në emisionin #KallxoPernime gjithë ngjarjen e tmerrshme që kishte ndodhur atë natë.

”Shaqiri u vra mbi urë të Bistricës, unë jam kanë me të, jena dalë pak para orës 08:00 me shku tek një ilake kem nejt. Në 08:00 kemi dalë me u kthy në shtëpi, mbi urë të Bistricës na kanë gju, Shaqirin e kanë vra, mua më kanë plagosur. Shaqirin në vend e kanë mbyt na kanë sulmuar me automatik se gjuajtjet kanë qenë të një pas njëshme”, ka treguar Krasniqi.

Vrasja vazhdon të mbetet mister për familjen dhe autoritetet të cilat ende vazhdojnë ta mbajnë në listën e vrasjeve të pazgjidhura këtë ngjarje.

Shaqiri në kohën kur ishte vrarë punonte në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës – TMK. Ai kishte një histori si pjesëtar i luftës, si 22 vjeçar ai ishte plagosur në Prilep të Deçanit ndërsa ishte rikthyer serish në luftën e Koshares.

Dosja e lëndës tregon se Shaqiri i kishte paralajmëruar institucionet se diçka e keqe pritej t’i ndodhte. Ai kishte dhënë deklaratë në TMK e në UNMIK për planet se dikush po planifikonte ta vriste.

“Unë i quajturi Shaqir Krasniqi, oficer në Departamentin e informimit pranë Shtabit të Përgjithshëm të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, deklaroj se: Sipas një djaloshi, kam mësuar se nga dy persona kam pasur afër 23 prita që m’i kanë organizuar këta persona. Unë kam rënë vetëm në katër prita të tyre. Të gjitha këto i kam mësuar në mëngjesin e datës 15.12.2000”.

Kështu kishte deklaruar i ndjeri pra se të vritej duke treguar në deklaratën e tij se ai ka vizituar familjen e personit që ka pretenduar se ka dashur ta vriste.

“Kam shkuar në shtëpinë e tij dhe i kam thanë babës së tij se çka ka përgatitur djali i tij të më vras mua, dhe në prezencën e familjarëve të tij i kam kërkuar arsyen pse ai do të më vras mua. Ai në prezencën e tyre ma ka pranuar se ka tentuar të më vras por nuk më ka dhënë ndonjë detaj lidhur me këtë”, kishte shtuar Shaqir Krasniqi në deklaratën e tij.

Pasi Shaqiri kishte vizituar familjen e personit të dyshimtë. Dosja tregon që Shaqiri ishte vizituar në shtëpinë e tij nga një person tjetër që përmendej në paralajmërimet për vrasjen e tij.

“Të premten, rreth orës 12:30, te shtëpia ime vjen personi i cili më tha se kam dëgjuar rreth problemit. Unë i thash se ai deshi të më vras me dikë. Ai tha unë të betohem se nuk kam dashur të të vras, vetëm e di që një herë kur ka dashur të të vras ai personi, unë qëllova aty dhe nuk e kam lënë të të vras. Unë i thash a do të dëshmosh pranë Policisë këtë, ai tha po, që është nevoja edhe para gjyqit e ku të duash”, thuhet në deklaratën që Shaqir Krasniqi kishte dhënë në polici atë kohë.

Në njërën nga këto deklarata Shaqiri përmend me emër e mbiemër personin që siç pretendon ai i kishin organizuar prita për ta vrarë.

Emisioni #KallxoPernime nuk i ka përmendur emrat e atyre personave pasi që rasti është ende duke u hetuar.

Në gjykimin për vrasjen e Burim Sejdiut, i pandehur Veton Syla kishte përmendur në gjykatë se dinte diçka për vrasjen e Shaqirit.

Deklarata është dhënë më datën 27 janar të vitit 2017, dhe përmbajtja është e qartë “Do të dëshmoj për vrasjen e Shaqir Krasniqit”.

Veton Syla mbahet i burgosur në njërin prej burgjeve të Kosovës, ekipi i #KallxoPernime ka tentuar ta kontaktojë për ta sqaruar këtë deklaratë të tij, mirëpo Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se pas kontaktit me të ai ka refuzuar të flasë.

“Pas kërkesës tuaj lidhur me intervistimin e të burgosurit në fjalë, ju njoftojmë se i njëjti nuk ka pranuar të intervistohet lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së dhënë për #KallxoPernime.

Nëna e Shaqirit, Lushe Krasniqi ka thënë se ka qenë me Shaqirin kur e kanë telefonuar dhe e kanë kërcënuar se do ta vrasin.

“Fill pas lufte ai nuk e dike, rrike shlirë, thojke s’kem tut prej kërkujt. Ja filloi punës në TMK si kapiten. Dy javë pasi diplomoi, kem bo banket e kreu akademinë tre muaj ditë, dy javë pasi diplomoi e vranë. M’kallxojke që ka kërcënime në telefon. E thirrshin dhe në telefon ja lshojshin automatin”, ka thënë Lushe Krasniqi, duke shtuar se pas vrasjes ajo ka kërkuar drejtësi në institucione por deri me tani rasti nuk është zbardhur.

“Ka treguar janë të shkruara edhe në deklarata edhe i kam çu në Prokurori edhe në Polici edhe prapë kur u akuzua ai për një vrasje tjetër e ka përmendur edhe rastin e Shaqirit, e ka përmend ky Vetoni rastin. Një prokurore e anës këtej të Deçanit i ka thanë mbylle temën se ka lanë me qitë në skaj. I kam dërguar gjithkund këto letra shkrime të tij por kanë ra në veshin e shurdhër”, potencon nëna e Shaqirit.

Shkodran Nikçi, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës ka thënë se janë marr në pyetje disa persona, dëshmitarë, por deri më tani ende nuk ka ndonjë provë që të identifikohet kryerësi apo kryerësit e kësaj vrasje.

“Ka pas tendenca që përmes ndihmës ndërkombëtare të merren në pyetje edhe disa persona të tjerë të cilët gjenden jashtë shtetit, mirëpo deri në këtë fazë nuk është arrit asgjë, por prokurori i shtetit do të tentoj që personat të cilët kanë informata, dëshmitarë të ndryshëm apo persona okular që të intervistohen dhe pas intervistimit dhe grumbullimit të provave, besoj që do të qelën rrugë që të ndriçohet ky rast”, ka thënë Nikçi, i cili gjithashtu ka shtuar se vrasja e Shaqirit është në mesin e 120 vrasjeve që vazhdojnë të jenë të pa zbardhura në rajonin e Pejës.

Vrasja e Shaqir Krasniqit në liri e bën edhe më të madhe dhimbjen e nënës. Nëna Lushe thotë se nëse djali ju kishte vra në luftë nuk do kishte dhimbje por ju vra në liri, e për të cilën liri djali i saj kishte derdhur gjak gjatë luftës.

Vrasja e ish luftëtarit të UÇK-së, Shaqir Krasniqi vazhdon të jetë rast i hapur në Prokurorinë Themelore të Pejës. Në mes viteve 1999 – 2020 në rajonin e Pejës kanë ndodhur hiç më pak se 120 vrasje të mistershme. Nga dora e mistershme janë vrarë policë, ushtarë, biznesmenë, gra e fëmijë, dosjet ende nuk janë zbardhur.