Ende po hetohet vrasja e mistershme e Shaqir Krasniqit

Vrasja e ish-luftëtarit të UÇK-së, Shaqir Krasniqi, vazhdon të jetë rast i hapur në Prokurorinë e Pejës.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka thënë se janë marrë në pyetje disa persona, dëshmitarë, por deri më tani ende nuk ka ndonjë provë që të identifikohet kryesi apo kryesit e kësaj vrasjeje që ka ndodhur më 2004.

“Ka pasur tendenca që përmes ndihmës ndërkombëtare të merren në pyetje edhe disa persona të tjerë të cilët gjenden jashtë shtetit, mirëpo deri në këtë fazë nuk është arritur asgjë, por prokurori i shtetit do të tentojë që personat të cilët kanë informata, dëshmitarë të ndryshëm apo persona okularë që të intervistohen dhe pas intervistimit dhe grumbullimit të provave, besoj që do të çelen rrugë që të ndriçohet ky rast” – ka thënë Nikçi.

Në mes viteve 1999 – 2020 në rajonin e Pejës kanë ndodhur rreth 120

Vrasje. Pjesa më e madhe e tyre vazhdojnë të jenë të pazbuluara.

Nga dora e mistershme janë vrarë policë, ushtarë, biznesmenë, gra e fëmijë. Dosjet ende nuk janë zbardhur.

Në zonë ka mite e legjenda se kush i planifikoi e i kreu vrasjet ndërsa në Prokurori ka disa dosje të cilat ende nuk po arrijnë të zbardhen.