Dështon seanca fillestare kundër 12 policëve kufitar e 2 doganierëve të akuzuar për korrupsion

12 policë kufitar dhe 2 zyrtarë doganor janë akuzuar nga Prokuroria Speciale për marrje ryshfeti në fund të dhjetorit të vitit që lamë pas.

Aktakuza 114 faqëshe është ngritur ndaj policëve të Stacionit Policor të pikës kufitare “Qaf Prush” dhe atë Artan Thaçi, Agron Bejtullahu, Afrim Deda, Avdi Përolli, Benon Këpuska, Isa Ibrahimi, Kreshnik Arllati, Malë Berisha, Mehmet Manxhuka, Sami Hajdari, Shaqir Krasniqi dhe Uran Mati, si dhe dy zyrtarëve të Doganës, Enis Turtulla dhe Senad Zherka.

Secili prej tyre u deklaruan para gjykatës se për momentin janë të suspenduar nga puna.

Seanca fillestare për të lartcekurit ishte paraparë të mbahej sot, por e njëjta dështoi pasi që mbrojtja nuk ishin pajisur siç duhet me shkresat e lëndës.

Kështu, avokati Agron Rrecaj i cili në këtë procedurë mbron të akuzuarin Artan Thaçi, tha se vetëm pjesërisht ka pranuar shkresat e nevojshme, e atë një USB me videot e masave të fshehta por asnjë provë tjetër. Njëlloj u shprehën edhe pjesa dërmuese e avokatëve mbrojtës, e për këtë arsye nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e seancës.

Lidhur me këtë Prokuroria e përfaqësuar sot nga prokurori Naim Abazi, ka shprehur keqardhje për një situatë të tillë.

“Më vjen keq që kanë ndodhur këto gabime teknike, ne jemi të gatshëm që t`i pajisim me prova dhe shkresa të lëndës, po ashtu do t`i njoftojmë edhe gjykatën lidhur me këtë obligim ligjor”- u shpreh prokurori Abazi.

Sipas aktakuzës, në periudhën kohore nga muaji gusht e deri në dhjetor të vitit 2021, në pikën kufitare “Qaf Prush”, 12 policët e akuzuar kanë kërkuar e pranuar ryshfet me qëllim të përfitimit personal duke iu mundësuar qytetarëve kalimin në këtë pikë kufitare pa iu nënshtruar procedurave e kontrolleve të parapara me ligj.

Këto veprime aktakuza thotë se të akuzuarit i kanë kryer në bashkëkryerje por edhe veç e veç.

Ndërkaq sa i përket dy doganierëve, ata po akuzohen se lejuan hyrjen e mallrave të ndryshme pa iu nënshtruar mbikëqyrjes doganore, e tërë kjo me qëllim të përfitimit material.

Të akuzuarit ranë në prangat e policisë më 14 mars të vitit 2022 në një aksion të Inspektoratit Policor, pas hetimeve që zgjatën 10 muaj nga IPK në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.

Kryetar i trupit gjykues në këtë rast është gjyqtari i departamentit special Lutfi Shala, ndërsa aktakuza është ngritur nga prokurorët Special Habibe Salihu e Ilir Morina.