Shaqir Krasniqi i kishte paralajmëruar institucionet se diçka e keqe do t’i ndodhte

Lushe Krasniqi, nëna e ish-luftëtarit të UÇK-së, Shaqir Krasniqit, i cili ishte edhe oficer me gradën e kapitenit në TMK, në rrëfimin e saj për emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se deklaratat e djalit të saj që i kishte dhënë para se të vritej i ka dërguar në prokurori dhe Polici.

Por, sipas sajs asnjëherë nuk janë marrë parasysh, as për temën e Shaqirit nuk e kanë lënë askënd që të ndërmarrë diçka.

“Prokurorët dhe gjykatësit janë të korruptuar. Deklaratat e tij i kam bërë fotokopje, dëshmi janë të cilat i kam përkthyer edhe tek avokati, i kam çu gjithkah por këto janë humbë, pos këtyre që i ruaj unë” – ka thënë ajo.

Letrat që po i përmend nëna e Shaqir Krasniqit të vrarë, janë deklaratat e djalit të saj që ai i kishte dhënë para së të vritej.

Në njërën nga këto deklarata ai përmend me emër e mbiemër personin që siç pretendon ai i kishte organizuar prita për ta vrarë.

“Sipas një djaloshi kam mësuar se nga dy persona kam pasur afër 23 prita që m’i kanë organizuar. Unë kam rënë vetëm në katër prita të tyre. Të gjitha këto i kam mësuar mëngjesin e datës 15.12.2000” – kishte deklaruar në UNMIK ndër tjera Shaqir Krasniqi.

Ai kishte vizituar familjen e personit të dyshimtë.

Aty përshkruhet se kishte takuar të atin e tij, të cilit i kishte kërkuar sqarime.

“Kam shkuar në shtëpinë e tij dhe i kam thënë babës së tij se çka ka përgatitur djali i tij të më vrasë mua dhe në prezencën e familjarëve të tij i kam kërkuar arsyen pse ai do të më vrasë mua. Ai në prezencën e tyre ma ka pranuar se ka tentuar të më vrasë, por nuk më ka dhënë ndonjë detaj lidhur me këtë” – kishte deklaruar më tej Shaqir Krasniqi në UNMIK.

Në atë kohë përgjegjësia për sigurinë në vend ishte tek autoritetet e policisë së UNMIK-ut por kishte edhe policë vendorë.

Dosja tregon që Shaqir Krasniqi ishte vizituar në shtëpinë e tij nga një person që përmendej në paralajmërimet për vrasjen e tij.

“Të premten rreth orës 12:30, te shtëpia ime vjen personi i cili më tha se kam dëgjuar rreth problemit, unë i thash se ai deshi të më vrasë me dikë, ai tha unë të betohem se nuk kam dashur të të vrasë, vetëm e di që një herë kur ka dashur të të vrasë ai personi unë qëllova aty dhe nuk e kam lënë të të vrasë. Unë i thash a do të dëshmosh pranë policisë për këtë, ai tha po që është nevoja edhe para gjyqit e ku të duash” – vijon më tej deklarata e Shaqir Krasniqit dhënë para se të vritej.