ILUSTRIM - Dhuna në familje, Foto: Pixabay.com

Sfidat në monitorimin e rasteve të dhunës në baza gjinore

Hamide Magashi, Marigona Osmani, Sabile Mavrovqani, Zejnepe Berisha, Diana Kastrati, Hatije Dina, Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj, e disa emra të tjerë janë viktima të partnerëve e bashkëshortëve të tyre, ngjarje këto që ndodhën ndër vite në Kosovë.

Para vrasjeve disa nga këto viktima përjetuan dhunë fizike sistematike, tortura e maltretime për të cilat disa herë u kërkua edhe mbrojtja nga shteti, ndihmë kjo që është dëshmuar që ra në vesh të shurdhër.

Përderisa gjykimet e rasteve të dhunës në baza gjinore vazhdojnë të cilësohen si të mangëta dhe jo të duhura, prapë se prapë shoqëria civile vlerëson se viktimat e dhunës kanë filluar që të vetëdijesohen.

“Ka raportim më të madh të rasteve të dhunës me bazë gjinore në institucionet përgjegjëse. Kjo sepse gratë dhe vajzat janë më të vetëdijshme për të drejtat e tyre dhe kërkojnë drejtësi në rastet e dhunës” – shprehet Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

Disa të dhëna të grumbulluara nga projekti ‘Data-baza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin’, tregojnë se për pesë vite, 2016-2020, për veprat penale të dhunës në familje organi ndjekës i Prokurorisë në vend se të kishte përparime, ka pasur rënie të efikasitetit.

Këto të dhëna tregojnë se Prokuroria e shtetit ishte më efikase kur kishte mbi 4,000 lëndë në punë se sa në vitin kur rastet nuk e kalonin numrin 2,500.

Sipas këtyre të dhënave në vitin 2016 Prokuroria kishte efikasitet të lartë në trajtimin e dhunës në familje i cili shkonte deri në 76% të zgjidhjes së rasteve, përderisa në vitin 2020 ky efikasitet kishte rënë në 61%.

Përderisa, edhe pas gati 2 viteve e gjysmë, shoqëria civile vazhdon të mendoj që ka mangësi në gjykimet që kryen sistemi i drejtësisë në rastet e dhunës në familje e në baza gjinore.

A po lejohet shoqëria civile që të monitoroj rastet e dhunës në baza gjinore?

Iniciativa e të Rinjve për të Drejta të Njeriut (YIHR), Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Rrjeti i Gazetarisë Hulumtuese në Ballkan (BIRN) janë disa nga organizatat joqeveritare që bëjnë monitorim të sistemit gjyqësor në vend.

Këto OJQ ka raste kur edhe përballen me sfida, e një nga to është edhe kur trupi gjykues i cilitdo rast vendos që ta mbyllë seancën për monitorim.

Raste të tilla janë edhe ato të dhunës në familje, pasi këto cilësohen si të ndjeshme marr parasysh që në mesin e viktimave ka edhe të mitur.

Në disa përgjigje për KALLXO.com, organizata YIHR në Kosovë, ka treguar se zhvillojnë vazhdimisht monitorim të rregullt të rasteve të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe çështjeve me interes publik.

Të pyetur nëse nuk janë lejuar ndonjëherë që të monitorojnë raste të dhunës në bazë gjinore, YIHR ka treguar se rastet e vetme kur iu është pamundësuar monitorimi, kanë qenë ato kur seancat gjyqësore janë mbyllur për publikun nga ana e Gjykatës bazuar në legjislacionin në fuqi.

YIHR thotë se konsiderojnë që monitorimi i proceseve gjyqësore të rasteve të dhunës në baza gjinore është jashtë mase i nevojshëm dhe i rëndësishëm për të garantuar drejtësi për viktimat.

“Ky monitorim garanton edhe përgjegjësi nga kryesit dhe institucionet relevante” – thuhet tutje në përgjigje.

OJQ në fjalë ka thënë se parandalimi i rasteve të dhunës në baza gjinore mund të bëhet vetëm duke ekspozuar kryerësit e këtyre veprave para publikut.

Sa i përket monitoruesve të kësaj organizate, YIHR tregoi për KALLXO.com se në kuadër të projektit “Të Rinjtë për Drejtësi”, organizojnë programin 6-mujor të praktikës në gjitha Gjykatat Themelore të Kosovës, ku studentët e angazhuar në program raportojnë shkelje të ndryshme në baza mujore si dhe marrin pjesë në monitorim të seancave gjyqësore.

YIHR  thonë se monitorimi i rasteve të dhunës në baza gjinore zhvillohet në mënyre të rregullt përgjatë vitit, ku gjetje, rezultate dhe zhvillime në këtë drejtim përfshihen edhe në Raportin e Shoqërisë Civile për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, raport i cili realizohet në baza vjetore nga Rrjeti i të Drejtave të Njeriut, që kryesohet nga YIHR-KS, së bashku me organizata të tjera të shoqërisë civile.

Sfidat me të cilat po përballen OJQ-të gjatë monitorimit të rasteve të dhunës

Monitorimi i proceseve gjyqësore të rasteve të ndryshme, përpos që nganjëherë di të zgjas më shumë sesa që duhet e në fund prapë të mos ketë dënim të mjaftueshëm, ka edhe sfida të tjera.

Iniciativa e të Rinjve për të Drejta të Njeriut thotë se në mesin e shumë sfidave tjera, një ndër sfidat më aktuale me të cilat ballafaqohen është kualiteti i monitorimit.

“Ka mungesë të monitorimit ekstensiv dhe kualitativ. Më tutje, ka mungesë të trajnimeve apo përgatitjeve profesionale për monitorim” – thotë YIHR për KALLXO.com.

Në përgjigjet e kësaj organizate po ashtu është thënë se një nga sfidat kryesore në Kosovë mbeten masat e dobëta ndëshkimore ndaj kryesve të veprave të tilla penale, ku në raste të shumta merren parasysh vetëm rrethanat lehtësuese nga ana e Gjykatave dhe rrjedhimisht pasojnë dënime të ulëta.

Këto dënime sipas kësaj OJQ-je, drejtpërsëdrejti ndikojnë në uljen e raportimit të rasteve të dhunës dhe besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Organizata në fjalë, përmes platformës “E Drejta Jem” mundëson raportimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut nga qytetarë në mënyrë tërësisht anonime, e më pastaj, ekipi i juristëve të organizatës shqyrton raportimet dhe orienton palën raportuese për hapat që duhet ndjekur për të iniciuar procedurë, organet kompetente të cilëve duhet drejtuar për rastin në fjalë e kështu me radhë.

Albana Hasani, zyrtare ligjore në ‘FOL’, thotë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka të dhëna se sa aktgjykime të dhunës në familje shpallen në gjykata brenda periudhave të caktuara kohore.

“Prandaj ne nuk kemi informacione se sa është përqindja e aktgjykimeve të shpallura të dhunës në familje që publikohen ne ueb-faqen e KGJK-së thotë ajo.

Sipas saj një nga problemet se pse nuk dihen saktë numri i aktgjykimeve të publikuara për rastet e dhunës në familje është numri i madh i lëndëve me të cilat ballafaqohen gjykatat tona në nivel vendi.

“Arsyeja se pse nuk publikohen aktgjykimet në tërësi, është ngarkesa me fluks të madh të punëve e zyrtarëve përgjegjës për publikimin e aktgjykimeve si dhe mungesa e kapaciteteve dhe resurseve njerëzore nëpër gjykata”, thotë ajo.

Çfarë bën shteti në drejtim të monitorimit të këtyre rasteve?

Agjencia për Barazi Gjinore ka treguar se nuk kanë mandat të monitorojnë sistemin e drejtësisë në rastet e dhunës në familje apo të dhunës në baza gjinore. Prandaj, ABGJ ka thënë se kjo bën që të mos kenë edhe rezultatet nga këto monitorime.

Kjo Agjenci është organ i rëndësishëm për funksionimin e institucioneve demokratike dhe ka mandat të hartojë, të zbatojë, të propozojë, të koordinojë të monitorojë politika publike vendore dhe ndërkombëtare për barazinë gjinore.

Po ashtu, AGJB është përgjegjëse për promovimin, mbrojtjen dhe avancimin e pjesëmarrjes së barabartë të grave dhe burrave në të gjitha sferat e jetës politike, ekonomike, shoqërore, kulturore, në Kosovë.

Një OJQ tjetër që bën monitorim të seancave gjyqësore që nga 2017 është edhe Rrjeti i Grave të Kosovës.

RRGK monitorimin si fillim e ka nisur në bashkëpunim të ngushtë me BIRN për të realizuar raportin, “Nga fjalët në Vepra”, dhe pastaj ka vazhduar me monitorues të angazhuar brenda RRGK-së të bëjë monitorimin e seancave gjyqësore.

Rrjeti i Grave ka treguar se monitoron çdo ditë seanca të procedurës penale më së shumti, por duke mos anashkaluar edhe ato civile.

Po ashtu, RRGK përfaqëson në seanca gjyqësore viktima të dhunës me bazë gjinore dhe të dhunës në familje, andaj edhe monitoron këto raste.

“Përveç rasteve që përfaqësojmë, RRGK monitoron edhe raste të tjera të cilat janë kryesisht në Gjykatat e Prishtinës, por që lidhen me dhunën me bazë gjinore” – thuhet në përgjigje.

Tutje tregohet se në kushte normale, monitorimi i rasteve të dhunës me baza gjinore nuk lejohet, sepse këto janë raste të ndejshme me seanca të mbyllura për publikun dhe në rastet kur viktimat janë fëmijë.

Mirëpo, RRGK ka treguar se ka marrëveshje bashkëpunimi me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, dhe deri me tani nuk kanë hasur në vështirësi të tilla në të cilat nuk janë lejuar që të monitorojmë seanca.

RRGK tregon se edhe vet viktimat dhe mbrojtësit e tyre e kanë parë të nevojshme praninë e tyre, ndërsa edhe gjyqtarët e kanë lejuar monitorimin.

Sipas Breznicës nga kjo OJQ, ka raste kur edhe nuk lejohet që të mos ketë monitorim. Kjo pasi në disa raste ka ndonjë gjyqtar që e sheh të arsyeshme mos ta lejoj monitorimin.

“Në përgjithësi, pavarësisht ndjeshmërisë së rasteve, RRGK ka qenë prezent në monitorim” – shprehet Breznica për KALLXO.com.

Ajo tregon se monitorimet e RRGK-së nuk janë të çashme për publikun, por ato përdoren për të hartuar raporte hulumtuese të cilat kontribuojnë në përmirësimin e trajtimit të rasteve të dhunës me bazë gjinore nga institucionet përgjegjëse.

Breznica thotë se monitorimi i rasteve të dhunës në familje dhe në baza gjinore është i rëndësishëm në seanca gjyqësore.

Kjo pasi sipas saj sigurohet transparence dhe përgjegjësi në sistemin e drejtësisë.

“Përveç kësaj, monitorimi ndihmon që seancat gjyqësore të mbahen në mënyrë të drejtë dhe të jepet një gjyq i drejtë, në të cilën të gjitha rastet trajtohen njësoj dhe ndiqen procedurat ligjore” – ka thënë Breznica.

Ajo vlerëson që për shkak të monitorimit të OJQ-ve në procese gjyqësore, trajtimi i rasteve të dhunës me bazë gjinore në gjykata është përmirësuar dukshëm.

Për nëntë vite 15 mijë e 441 raste të dhunës në familje të raportuara në Kosovë

15 mijë e 441 raste është numri marramendës i rasteve të dhunës në familje që u raportuan në Policinë e Kosovës për nëntë vite.

Statistikat policore tregojnë që në shumicën e rasteve viktimë e këtyre rasteve janë gra dhe vajza që ballafaqohen me dhunë të cilësdo formë nga partneri, prindi, vëllai apo ndonjë familjar tjetër i tyre.

Vetëm në 2022-ën, u raportuan në forcat e rendit në gjithë Kosovë 2 mijë e 757 raste të dhunës në familje.

Në këto raste, numri total i viktimave që janë gra dhe vajza është gati pesë herë më i lartë sesa numri i viktimave që janë djem dhe burra.

Të dhënat e Policisë tregojnë se përgjatë 2021-ës u raportuan 2 mijë e 456 raste të dhunës në familje, përderisa një vit më herët, në 2020 u raportuan gjithsej 2 mijë e 69 raste të tilla.

Më tutje, statistikat policore tregojnë se 8 mijë e 159 raste të dhunës në familje kanë ndodhur përgjatë gjashtë viteve, 2014-2019. E në këtë rast, numri total i viktimave ka qenë 8 mijë e 316.

Nga ky numër, 6 mijë e 651 të viktimave kanë qenë gra dhe vajza që kanë pranuar dhunë në cilëndo formë nga familjarët e tyre.

Pra, i bie që për gjashtë vite, numri i viktimave të gjinisë së kundërt, djem dhe burra, është vetëm 1 mijë e 665 viktima.

Organizatat joqeveritare që vazhdimisht trajtojnë rastet e dhunës në familje e në bazë gjinore vlerësojnë se numri i këtyre rasteve po vazhdon çdo ditë e më shumë të rritet.

E po të njëjtat OJQ tregojnë se në mesin e shoqërisë tonë ka ende viktima të tjera që çdo ditë janë pre e dhunës, por që nuk kanë guxim ta raportojnë atë në organet e drejtësisë.

Një nga arsyet se pse nuk ndodhë ky raportim, sipas Breznicës nga RRGK është pasi në Kosovë ende është prezent mendësia patriarkale e ajo tradicionale.

“Mbi të gjitha, prezent në mesin e shoqërisë është edhe mendësia që burrat kanë të drejtë mbi gratë dhe mbi trupin e grave” – vazhdon renditja e arsyeve që sipas Breznicës bëjnë që të ketë kaq shumë raste të dhunës në vendin tonë.

Prezenca e një mendësie të tillë në mesin e shoqërisë kosovare, Breznica tregon se e përforcon rrezikun e dhunës në baza gjinore.

Puna e organeve të drejtësisë për rastet e dhunës në familje

Për të parë se sa aktakuza dhe sa dënime janë shqiptuar për rastet e dhunës në familje dhe baza gjinore që kanë ndodhur përgjatë 2023-ës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka thënë se ende janë në proces të përpunimit të këtyre të dhënave.

Përderisa, për vitet e kaluara, KGJK i ka dërguar dy data baza që mbledhin statistika e që tregojnë se çfarë pune kanë bërë gjykatat viteve të fundit për të gjitha veprat penale dhe jo të ndara specifikisht.

 

Në anën tjetër, të dhënave statistikore nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për burim të dhënat e hapura të ofruara nga KGJK, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, tregojnë nivel të lartë të hetimit të rasteve në kuptim të rasteve të zgjidhura, por nuk ka të dhëna për kohëzgjatjen e cilësinë e tyre.

Të dhënat e grumbulluara për 4 vite, përfshirë vitet prej 2016-2020, tregojnë se për veprat penale të dhunës në familje gjatë këtyre viteve janë ngritur aktakuza ndaj një numri të madh të personave.

Ndërsa për 2 mijë e  949 persona janë hapur hetimet për 4 vite për rastet e dhunës në familje e që prej 2 mijë e 869 prej tyre janë ngritur aktakuza.

Të dhënat tregojnë edhe për një numër të madh të aktakuzave të ngritura pa u zhvilluar hetime, ku nga ana e prokurorit janë ngritur aktakuza të drejtpërdrejta ndaj 5 mijë e  820 personave që nënkupton se nuk ka pasur hetime për këto raste, pasi prokurori ka pasur prova të mjaftueshme për ngritje e aktakuzës pa zhvilluar hetime për këto raste.

Të dhënat nga data-baza e BIRN, evidentojnë edhe numrin prej 1 mijë e 50 aktakuzave me urdhër ndëshkimor.

Për 4 vite prokuroritë kanë pranuar kallëzime penale për dhunë në familje ndaj 10 mijë e 274 personave.

Të dhënat tregojnë që shumica e rasteve përgjatë viteve të lartcekura kanë përfunduar me dënime, ndërsa vetëm 30 persona janë shpallur të pafajshëm.

Nga numri i madh i rasteve të dhunës në familje të dhënat tregojnë që vetëm disa lëndë nuk janë përfunduar dhe ato janë mbyllur për shkak të parashkrimit.

Sipas të dhënave, për 4 vite për shkak të parashkrimit nga gjykatat e Kosovës janë nxjerrë 59 aktgjykime refuzuese.

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.