Foto: QKSS/Twitter

Serbët në Kosovë, nivel i ulët besimi në Policinë e Kosovës

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)ka prezantuar raportin ‘Perceptimi i komunitetit serb kundrejt Policisë së Kosovës: mike apo armike’.

Në këtë raport, me autor Shpat Balaj, janë trajtuar problemet e vazhdueshme të institucioneve të Kosovës për integrimin e komunitetit serb në Policinë e Kosovës.

Gjatë prezantimit të raportit, autori Balaj tha se në të shumtën e rasteve marrëdhëniet e Policisë me komunitetin serb janë të ndikuara politikisht.

Sipas tij, komuniteti serb e sheh Policinë e Kosovës, si institucionin më të korruptuar në vend.

“Pas luftës UNMIK-u e ka shtri autoritetin e saj në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare. Në vitin 2008 integrimi i komunitetit serb në Polici është konsideruar i suksesshëm. Mirëpo pas shpalljes së pavarësisë, shumica kanë dhënë dorëheqje. Policia e Kosovës ka qenë fleksibile dhe ka lejuar kthimin e rreth 140 pjesëtarëve të Policisë, nga komuniteti serb. Ndërsa nga viti 2008 mbrohet edhe me ligj integrimi i tyre. Në vitin 2013, gjithashtu shënon valën më të madhe të integrimit të komunitetit serb në Polici, pas marrëveshjes së arritur në Bruksel”, ka thënë Balaj.

Raporti thotë se komuniteti serb i Kosovës ka nivel të ulët besimi kundrejt Policisë së Kosovës.

“Mungesa e besimit është më e theksuar në Mitrovicën e Veriut kur krahasohet me rajonet e tjera në Kosovë”, thuhet në raport.

Sipas raportit të publikuar, vetëm 3.4% është besimi në Policinë në komunën e Mitrovicës së Veriut, ndërsa vetëm 14.9% të komunitetit serb janë shprehur se ndjehen të sigurt në Kosovë gjatë 3 viteve të fundit, kurse në përgjithësi vetëm 4.7% të serbëve të Kosovës i besojnë Policisë së Kosovës.