Mitrovica e Veriut, foto nga arkivi

Serbët lokalë në Kosovë me dy protesta sot, një kundër Vuçiqit e tjetra për plagosjen e dy të rinjve

Serbët lokalë në Kosovë sot pritet të mbajnë  dy protesta të ndara, në të njëjtën orë.

Siç shkruan portali Kossev,  e para është në Mitrovicën e Veriut, siç thuhet, kundër “tradhtisë së lartë” të Aleksandër Vuçiqit dhe “torturave, mburrjeve, pasurimit të pakontrolluar, kërcënimeve, shantazheve” të Listës Serbe.

Ndërsa e dyta, e organizuar nga Lista Serbe, lidhur me rastin e plagosjes së dy të rinjëve në Shtërpcë, të premten.

Sipas Kossevit, të dyja protestat janë paralajmëruar të mbahen me fillim nga ora 12:00.

Mbajtjen e protestës në pjesën veriore të Mitrovicës pranë monumentit të Knez Llazarit, simbolikisht në ora 12.01, e ka paralajmëruar komisioneri i të ashtuquajturës ‘Lëvizjes për Mbrojtjen e Kosovës’, Nebojsha Joviq.

Protesta ishte planifikuar fillimisht për datën 9 janar, por organizatorët vendosën të ndryshojnë datën për shkak të kërkesave të shumta të bashkëqytetarëve, siç u shprehën ata, dhe për shkak të detyrimeve që do të kenë në vendet e tyre të punës më 9 janar.

Të premten në Shtërpcë ndaj dy personave, njëri rreth 11-vjeçar dhe tjetri rreth 21-vjeçar, është shtënë me armë zjarri nga të dyshuar, të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt. Sipas policisë, vetura më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Lidhur me rastin Policia e Kosovës ka identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin me inicialet A.K. i moshës 33-vjeçar. I dyshuari është shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt.

Sipas Prokurorisë ndaj të njëjtit rëndojnë akuza për tri vepra penale. A.K., është i dyshuar për veprat penale, “Vrasja e rëndë në tentativë”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Në kërkesën për paraburgim, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, përshkruhet se si ka rrjedhur ngjarja deri te gjuajtja me armë ndaj dy të rinjve serbë, M.S dhe S.S. Aty thuhet se i dyshuari me të arritur në hyrje të fshatit, rreth orës 14:00, ka vërejtur disa qytetarë në skaj të rrugës dhe me qëllim që t’i largojë i ka rënë borisë.

Cilat akuza rëndojnë mbi 32-vjeçarin e dyshuar për plagosjen në Shtërpcë?