Prokuroria Themelore në Ferizaj

Cilat akuza rëndojnë mbi 32-vjeçarin e dyshuar për plagosjen në Shtërpcë?

32 vjeçari A.K., është arrestuar pas plagosjes së dy të rinjve, njëri 11 e tjetri 21 vjeç në fshatin Gotovushë të Shtërpcës. Ndaj të dyshuarit, i cili është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Prokuroria e Ferizajt ka kërkuar masën e paraburgimit prej një muaji.

Sipas Prokurorisë ndaj të njëjtit rëndojnë akuza për tri vepra penale. A.K., është i dyshuar për veprat penale, “Vrasja e rëndë në tentativë”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Në kërkesën për paraburgim, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, përshkruhet se si ka rrjedhur ngjarja deri te gjuajtja me armë ndaj dy të rinjve serbë, M.S dhe S.S. Aty thuhet se i dyshuari me të arritur në hyrje të fshatit, rreth orës 14:00, ka vërejtur disa qytetarë në skaj të rrugës dhe me qëllim që t’i largojë i ka rënë borisë.

“Në pamundësi që të lëvizë tutje, e ndal veturën dhe pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty, e nxjerr revolen dhe gjuan dy herë” – thuhet në kërkesë.

Në dosje thuhet se i dyshuari ka gjuajtur dy herë me revolen e markës “Mossberg” duke i goditur dy të rinjtë.

“E që si pasojë e këtyre goditjeve lëndime trupore pësojnë të dëmtuarit, të cilët fillimisht dërgohen në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas në Spitalin e Graçanicës” – thuhet në kërkesën e prokurorisë.

Më tej në dosjen e Prokurorisë thuhet se i dyshuari A.K, rreth një orë para se të ndodhte plagosja në Shtërpcë, saktësisht në orën 13:00 të 6 janarit, dyshohet se ka shtënë pesë herë me armë në ajër. Sipas asaj që thuhet nga Prokuroria, i njëjti në pamundësi që të kyçej në rrugën që të dërgon në Qendrën e Skijimit në Brezovicë për shkak se aty ishte një grumbull qytetarësh, ka nxjerrë revolen e markës “Mossberg” dhe ka shtënë pesë herë në ajër.

Dy persona, njëri 11-vjeçar e tjetri 21-vjeçar, janë plagosur dje në Shtërpcë. Pak orë pas kryerjes së veprës, i dyshuari, A.K, 32-vjeçar është identifikuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës.

Më pas, rrugët që të çojnë për në Shtërpcë u bllokuan. Banorët bllokuan rrugën duke vendosur goma të veturave dhe degë të drunjve. Në orën 22:00 filloi largimi i pengesave.

Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, ka thënë se të dielën më 8 janar do të mbahet protestë në Shtërpcë pas rastit të plagosjes së dy të rinjve atje.