Senatorja Shaheen: Shpresojmë që Serbia të bashkëpunojë për ngjarjen e Banjskës

Pas takimit me presidenten Osmani, senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, tha se shpreson që Serbia të bashkëpunojë për të vënë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici kosovar Afrim Bunjaku.

Duke folur para gazetarëve pas takimit me presidenten Osmani, Shaheen tha se në Kosovë është për të shprehur shqetësimin për ngjarjen e 24 shtatorit.

“Ne mendojmë që është shumë e rëndësishme që përgjegjësit të japin llogari, shpresojmë që Serbia të bashkëpunojë dhe përgjegjësit të japin përgjegjësi para ligjit. Ka mundësi që gjendet një bashkëjetesë afatgjate paqësore me Serbinë” – tha Shaheen.

Ajo tha se është shumë e rëndësishme që të bëhet sa më shumë për një zgjidhje paqësore, që të mos ketë përhapje të dhunës.

“Jemi këtu për të mbështetur Kosovën, një shtet që vazhdimisht e kemi mbështetur me shumë krenari” – tha ajo.

Presidentja Vjosa Osmani, pas takimit me dy senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, ka thënë se Kosova do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për policin e vrarë me 24 shtator në veri, Afrim Bunjakun.

Senatorët amerikanë Shaheen dhe Welch janë duke qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë. Përveç presidenten Osmani, ata do ta takojnë edhe kryeministrin Albin Kurti.