Sëmuret gjyqtari, dështon seanca për krime lufte në Ferizaj

Zlatan Krstiq dhe Destan Shabanaj, dy të akuzuar për një rast të krimeve të luftës në rajonin e Ferizajt, ka qenë e paraparë të dalin sot para gjykatës.

Anulimi i seancës është bërë për shkak të gjendjes shëndetsore të gjykatësit të rastit Musa Konxheli.

Gjykatësi  Konxheli, për KALLXO.com tha se gjendja e tij shëndetësore nuk ka të bëjë me coronavirusin.

“Për shkak të gjendjes time shëndetsore është anuluar seanca, nuk e kam virusin COVID -19 por momentalisht gjendem në regjim shtrati”, tha Konxheli.

Kujtojmë se më 20 janar, të akuzuarit Krstiq dhe Shabanaj ishin deklaruar të pafajshëm për akuzën e Prokurorisë Speciale.

Aktakuza shpjegon se i akuzuari Zlatan Krstiq më 26 mars 1999, rreth orës 20:00, në fshatin Nerodime e Epërme të Ferizajt, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serbë, i veshur me uniformë të policisë dhe i armatosur kishte marrë pjesë direkt në sulmin ndaj popullsisë civile shqiptare, konkretisht familjes Nuhaj e cila nuk kishte marrë pjesë aktive në konflikt të armatosur.

Prokuroria pretendon se Krstiq, gjatë këtij aksioni fillimisht me mjete motorike ushtarake dhe policore, kishte hyrë në oborrin e shtëpisë së Osman Nuhës dhe nën krisma të armëve dhe britmave në gjuhë serbe, rrëmbyeshëm dhe me forcë kishin hyrë brenda në shtëpi, ku ishin të strehuar 19 anëtarët e kësaj familje, në mesin e të cilëve kishte fëmijë, gra dhe burra.

Më tutje në aktakuzë thuhet se, i pandehuri në bashkëveprim  kryes të tjerë të cilët u përkisnin forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, me forcë nën kërcënim të armëve, duke ndjellë frikë për jetën e tyre, i kishin nxjerrë dhunshëm nga shtëpia dhe duke i trajtuar në mënyrë jo humane i kishin rreshtuar në oborr para shtëpisë duke i mbajtur nën frikë dhe presion për një kohë të gjatë.

Në vazhdim, derisa personat civilë të familjes Nuha ishin të rreshtuar në oborr, në prezencën e tyre, i pandehuri kishte marrë pjesë në djegien e shtëpive, kafshëve, ushqimin e kafshëve dhe gjithë pasurinë që gjendej në oborr, pasuri kjo që nuk justifikohej me nevoja ushtarake.

Pastaj, sipas prokurorisë i pandehuri në të njëjtën kohë ka marrë pjesë edhe në dëbimin e 15 anëtarëve të kësaj familje të cilët paraprakisht ishin të rreshtuar në oborr, ku nën kërcënimin e armëve, i kishin urdhëruar që të shpërngulen nga vendbanimi i tyre, duke i dëbuar me forcë në drejtim të panjohur.

Në vazhdim të aksionit të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare, i pandehuri gjithashtu ka marrë pjesë në marrjen peng të 4 personave të kësaj familje, ku fillimisht i kanë ndarë nga pjesëtarët tjerë të familjes personat Osman Nuha, Bajram Nuha, Agron Nuha dhe Brahim Nuha, tani të ndjerë.

Pastaj, pas marrjes peng, të këtyre personave, i pandehuri  ka kontribuar në trajtimin mizor të tyre, duke i maltretuar, torturuar, gjymtuar dhe përfundimisht vrarë me armë zjarri, kufomat e të cilëve me qëllim të fshehjes së krimit i kanë hedhur për skaj rrugës magjistrale Prishtinë- Ferizaj.

Më këtë prokuroria po e ngarkon se ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile.

Ndërsa aktakuza shpjegon se si i akuzuari  Destan Shabanaj, më 1 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policor, i armatosur me armë automatike, me qëllim të përdhosjes, poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pa jetë të viktimave Osman Nuha, Brahim Nuha, Bajram Nuha, Agron Nuha, Agron Nuha dhe Ismet Ramadani, ka urdhëruar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare.

Aktakuza thotë gjithashtu se në të njëjtën ditë, sipas urdhrit të të pandehurit dhe pjesëtarëve tjerë policorë, trupat e pajetë të viktimave të cekura më lartë, përmes personave Halim Krasniqi, Ismet Asimi dhe një person tjetër i quajtur “Rada”, me kamionin e tipit “ FAP”, janë tërhequr nga morgu i Prishtinës ende pa u bërë autopsia dhe janë dërguar në afërsi të varrezave të qytetit të Ferizajt të quajtura “varreza myslimane”, ku aty ishte duke i pritur i pandehuri Destan Shabanaj, i cili menjëherë posa kanë ardhur trupat e pajetë, ka urdhëruar personin e quajtur “Maksut” që me ekskavator të fillojë hapjen e një grope me qëllim të hedhjes së tyre.

Më tutje aktakuza shpjegon se, pas hapjes së gropës me përmasa përafërsisht 2 deri në 3 metra e gjerë dhe 70 deri 80 centimetra të thellë, i akuzuari Destan Shabanaj kishte urdhëruar që trupat e të vrarëve fillimisht t’i zbresin nga kamioni, e pastaj pa u respektuar traditat dhe ritet fetare i kishin hedhur në mënyrë të parregullt, të gjithë në të njëjtën gropë masive dhe ka urdhëruar që përmes ekskavatorit trupat e pajetë të hedhur në gropë masive të mbulohen me dhe duke mos mbajtur asnjë shënim për identitetin e të varrosurve dhe duke mos lënë asnjë shenjë identifikuese se aty ka varrezë.