Sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi pretendon se u provokua nga policia serbe në kufi

Sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli ka thënë të martën më 12.03.2024 është provokuar nga autoritetet policore (mbrojtja e afërt) dhe kufitare serbe, duke i ofruar nënshkrimin e një gjobe për gjoja tejkalim shpejtësie për 15 km/h, ku Haxholli është konsideruar si shtetas i Republikës së Serbisë.

Haxholli pretendon se ata kanë dashur ta vendosin në lajthitje, në vend se t’i ofrojnë trajtim preferencial në pikëkalimin kufitar, siç parashihet me Marrëveshjen e Brukselit, prej së cilës u krijuan zyrat ndërlidhëse.

“Duke qenë të shoqëruar nga përcjellja e afërt, ne i përshtatetmi shpejtësisë dhe rregullave të saj, rrjedhimisht është paradoksale që të gjobitesh për një gjë për të cilën nuk je, dhe as nuk mund të mbahesh përgjegjës” – ka shkruar Haxholli në Facebook.

Qëllimi i vërtetë i kësaj qasjeje, sipas tij të papranueshme ishte që përmes mashtrimit dhe lajthitjes, të merrnin nga Haxholli nënshkrimin e tij nga pozita zyrtare, në një dokument zyrtar serb, “ku në shkelje flagrante ndaj dokumentit identifikues, numrit të letërnjoftimit të Republikës së Kosovës, ishte shkruar R. Serbisë”.

“Normalisht unë protestova ashpër ndaj kësaj qasje fyese dhe manovruese, duke ua sqaruar që ndonëse gjoba është shqiptuar në shkelje të ligjeve të tyre, unë do ta nënshkruaja çfarëdo dokumenti ku referenca është e saktë, pra nëse autoritetet serbe e vendosin saktë: Fatmir Haxholli, zyrtar, respektivisht diplomat i Republikës së Kosovës” – ka thënë më tej ai.

Ky amaterizëm manovrues, sipas Haxhollit nuk mund të kalojë te dikush me përvojë.

Zyrat ndërlidhëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ekzistojnë që nga viti 2013. Ato u krijuan në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për të lehtësuar zbatimin e saj dhe janë të vendosura në ambientet e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Beograd dhe Prishtinë.