Foto: Gani Veseli.

Presionet politike ndaj kulturës në Bujanovc, flet krijuesi Gani Veseli

Polica serbe ndaloi për më se dy orë producentin Gani Vesli dhe drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanovc, Jetmir Ismaili, duke urdhëruar edhe ndalimin e shfaqjes së filmave, të planifikuar për të shtunën më 10 qershor në Bujanovc.

Në një bisedë për KALLXO.com, Gani Veseli, aktor e producent thotë se arsyeja e ndalesës së tij nga policia e Serbisë se gjoja filmat që pritet të shfaqeshin të shtunën, “Heshtja vret” dhe “I pabesi” nxisin urrejtje etnike apo fetare nuk qëndrojnë. Sipas tij, filmat bazohen në rrëfime popullore në ngjarje që kanë ndodhur jo fort larg. Tematika këto, që sipas producentit të filave nuk kanë të bëjnë me pretendimet e policisë së Serbisë.

Ndërhyrja e policisë

Veseli thotë se ka pritur një reagim më të madh për ngjarjen nga spektri gjithë shqiptar lidhur me ndalimin e shfaqjes së filmave nga ana e policisë në Serbi.

“Qëndruam rreth dy orë gjatë gjithë kohës kishte të bëjë me të njëjtat pyetje dhe sugjerime për mos mbajtjen e filmave edhe procedurat që do të ndiqen më pas nga prokurori i shtetit. Dyshimet, sipas tyre (policisë) erdhën si pasojë e letrave anonime që kishin arritur nga Presheva”- thotë producenti Veseli.

Veseli thotë se, policia i mori materialet filmike pa u dhënë shumë sqarime duke u thënë se materialet filmike do të shihen nga ekspertët përkatës, dhe më pas do të njoftohen nëse mund t’ i shfaqin ose jo filmat siç e kishin planifikuar.

“Pas gjithë këtyre shqetësimeve për të finalizuar si është më së miri këtë projekt, ne si ekip shpresojmë që do të krijohen kushtet dhe filmat t’ i shfaqim para publikut në Luginë. Edhe pse kam prit që të ketë reagime edhe më të mëdha për këtë veprim të autoriteteve serbe, nga i gjithë spektri shqiptar kudo që janë për të mirën e filmave”- potencoi Veseli.

Një situatë e tillë sipas Veselit tregon më së miri për situatën aspak të mirë të të bërit art në Luginën e Preshevës.

Të merresh me art-kulturë, të krijosh diçka të bukur, pa dyshim se ka një kosto të madhe dhe duhet të përballesh me sfida, kur kihet parasysh se Lugina e Preshevës dhe komunat e varfra, nuk janë në gjendje të mbështesin krijimtarinë artistike, sidomos kur kësaj i shtohet edhe presioni shtetëror, duke pamundësuar implementimin e as të drejtat elementare”- thotë Veseli.

Çfarë përmbajnë filmat?

Dy filmat që ishte paraparë të shfaqeshin më 10 qershor 92023 në Shtëpinë e Kulturës në Bujanovc, “Heshtja vret” dhe “I pabesi”, me skenar të Shkëlqim Islamit dhe regji të Musa Isufit, trajtojnë tematika të bazuara në ngjarje të ndodhura para 80 viteve, fokus fenomenin e hakmarrjes.

Veseli thotë se filmat kanë tituj provokativ edhe për situatën aktuale, por assesi me përmbajte që nxisin urrejtje. Për realizimin e filmave producenti Veseli thotë se janë angazhuar aktorë nga Lugina e Preshevës, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Pavarësisht vendimit që do të merret nga autoritetet serbe, ai tha filmat do të shfaqen aty ku ka shqiptarë.

“Nëse nuk na lejohet në Serbi atëherë jemi t`u planifiku që premierat e filmave t’i shfaqim në Prishtinë e me pas të vazhdojmë qytet për qytet gjithashtu edhe në Zvicër dhe në shtetet tjera evropiane”- tha ai.

Gani Veseli, aktor në Teatrin e Preshevës, është ndër më meritorët për avancimin dhe zhvillimin e këtij teatri. Ka shumë role të realizuara në filma dhe teatër duke u shpërblyer edhe me çmime. Ai njihët edhe si regjisor e producent në shumë projekte teatrore e filmike.