Foto: MPJD

Sa para u shpenzuan për një vit për shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd?

Pavarësisht raporteve me Serbinë, Kosova e ka një mision të posaçëm në këtë shtet. Në Beograd ekziston një Zyrë Ndërlidhëse e cila udhëhiqet nga Jetish Jashari. Kjo Zyrë është themeluar sipas Marrëveshjes së Brukselit, të arritur në mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, më 31.05.2013, në Bruksel.

Gjatë vitit 2023, nga arka e shtetit janë dhënë 2 mijë e 101 euro e 72 centë për shpenzimet që ka bërë Jashari me telefoni mobile. Krahasuar me ambasadorët e tjerë që Kosova i ka nëpër botë, ai hynë në katërshen që kanë harxhuar më së shumti para në telefon. Para tij janë vetëm ambasadori në Washington, Ilir Dugolli, ambasadori në Londër, Ilir Kapiti dhe ambasadori në Paris, Mehdi Halimi.

Këtë të dhënë dhe të tjera që lidhen me shpenzimet që janë paguar për shefin e Zyrës Ndërlidhëse, Jetish Jashari, KALLXO.com i ka siguruar përmes qasjes në dokumente publike në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

Në vitin 2023, janë paguar 10 mijë e 872 euro për qiranë e rezidencës së Jetish Jasharit, apo rreth 910 euro për një muaj.

Për një person që jeton në Beograd parashihen shpenzimet prej 555 euro e 28 centë për qira dhe shpenzime të saj. Ndërkaq, për një familje katër anëtarëshe 1mijë e 78 euro 45 centë. Kostoja mesatare e jetesës në Beograd është 1 mijë e 71 euro e 69 centë, që është afër kostos mesatare të jetesës në botë, duke u bazuar në përditësimet e fundit në bazën e të dhënave e quajtur “Livingcost”, që bënë krahasimin e kostove të jetesës dhe çmimeve nëpër botë. 

Ndërkaq, për drekat zyrtare të zyrës ndërlidhëse janë shpenzuar 3 mijë e 336 euro 94 centë.

Kurse para për derivatet e stafit të Kosovës në Beograd për një vit janë harxhuar 7 mijë e 340 euro e 48 centë.

Paga mujore e Jasharit gjatë vitit 2023 ka qenë 2 mijë e 178 euro 72 centë.

Zyra Ndërlidhëse në Serbi kategorizohet si Mision i Posaçëm.

Sipas Ligjit për shërbimin e jashtëm, Misioni i Posaçëm është “mision i përkohshëm, që përfaqëson Republikën e Kosovës në një shtet tjetër ose organizatë ndërkombëtare, me pëlqimin e tyre, për të negociuar ose kryer detyra të posaçme, të cilat janë në interes të Republikës së Kosovës”.

Përgjegjësi parësore e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi është përcjellja e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe adresimi i të gjitha problemeve që mund të paraqiten në baza ditore, përfshirë edhe me të cilat ballafaqohen shtetasit e Kosovës me qëndrim në Serbi apo gjatë kalimit tranzit nëpër territorin e Serbisë.

Selia e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi gjendet në objektin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Beograd.