Manuel Sarrazin. Foto: KALLXO.com

Sarrazin për rundin e ri të dialogut Kosovë – Serbi: Nuk ka entuziazëm të madh

“Nuk ka një entuziazëm të madh se do të ndodh një përparim i madh”, ka deklaruar emisari i Gjermanisë, Sarrazin për pritshmëritë e tij për rundin e ri të dialogut Kosovë – Serbi.

I dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin nuk është shprehur entuziast për takimin e sotëm Kurti – Vuçiq në Bruksel.

“Nuk ka një entuziazëm të madh se do të ndodh një përparim i madh, bëhet fjalë për hapa konkretë për deeskalimin në veri të Kosovës, të hapen dyert e të ecet në rrugën pozitive. Rajonit i nevojiten lajme të mira”, ka thënë Sarrazin në emisionin “Newsnight” në televizionin “N1”.

Megjithatë, Sarrazin shpreson që dialogu dhe puna për të ecur tutje do të tregojnë rezultate.

I pyetur se çfarë mund të arrihet në rundin e ri të dialogut, Sarrazin u shpreh se plani për deeskalim i BE-së është që të dyja palët të shkojnë drejt tërheqjes së forcave policore, zgjedhjeve të reja për kryetarë të rinj në katër komuna në veri të Kosovës.