Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sa milionë euro borxh i ka KEDS-i - KEK-ut?

65 milionë euro është shuma që kompania private KEDS i ka Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) që nga muaji shtator e deri në fund të janarit.

Këtë e ka bërë të ditur kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, në intervistën në emisionin ‘Kallxo Përnime’.

“Prej shtatorit deri në përfundim të janarit është 65 milionë euro. Sepse nuk mund ta çosh në përmbarim, para se me përfundu disa procese siç është letërkujtesa, komunikimet”, tha Krasniqi.

Tutje, në këtë intervistë Nagip Krasniqi bëri të ditur se në rast të moskthimit të borxhit, çështja mund të përfundojë në arbitrazh, në tribunialin në Zvicër.

“E dyta, duhet ta dini që procesi i përmbarimit të këtyre kompanive nuk bëhet në juridiksionin kosovar, sipas kontratës së nënshkruar. Kjo bëhet në Tribunal në Zvicër, në arbitrazh. Unë po them që nuk mund të zhvillohet procedura përmbarimore në juridiksionin e Kosovës”, tregoi Krasniqi.

Ai tha se ka zhvilluar takime me zyrtarët e KEDS-it por ata janë arsyetuar se ‘nuk kanë mjete’.