Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sa do të ndikojë tërheqja e urdhër-arrestit të Radoiçiqit në dëshmitarët e mbrojtur rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit?

Dëshmitë e shumta të dëshmitarëve të mbrojtur priten të dëgjohen brenda muajit mars në lidhje me vrasjen e ish- politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Tërheqja e urdhër-arrestit ndaj të kërkuarit nën dyshimin se pati gisht në organizimin dhe vrasjen e Ivanoviqit, Millan Radoiçiq mund të ndikojë edhe në këto dëshmi ndërsa të ftuarit në debatin e sotëm “Kallxo Pernime” treguan pikëpamjet e tyre në lidhje me këtë çështje.

Kreshnik Gashi, autor i shumë emisioneve dhe hulumtimeve në zonën e veriut të Kosovës, tha se tërheqja e urdhër-arrestit ndaj Radoiçiqit do të ndikojë në këto dëshmi.

“Është kriju njëfarë zhgënjimi për krejt punën që është bërë, sepse është kriju besimi. Prokuroria nuk është vetëm me ndjek krimin por edhe me parandalu. Çlirimi i veriut prej disa individëve, operacionet, bastisjet, kanë kthyer njëfarë klime të besimit dhe të njëjtit kanë bashkëpunu me organet e rendit, fakti që tash qesin veprime të tilla (tërheqja e urdhër-arrestit ndaj Radoiçiqit) normalisht që ka me e dëmtu këtë proces”, shtoi Gashi.

Gashi përmendi edhe disa fakte të cilat janë vërtetuar në shumë emisione të publikuara nga ai.

“Veriu ka qenë zonë ku Policia ka qenë e kontrolluar nga grupet e kriminalizume dhe këtë e kemi faktuar disa herë. Kemi policë të arrestuar për krim, kontrabandë, fshehje të provave, frikësim të dëshmitarëve. Viteve të fundit krimet e rënda kanë mbërri me kriju një linjë të drejtpërdrejtë komunikimi mes qytetarëve, elitave të policisë dhe prokurorisë dhe kjo e ka kriju një klimë të besimit të qytetarëve që disa prej tyre me dhanë deklarata dhe me zbardh atë çka ka ndodhur në veri dhe si funksionojnë skemat e krimit”, shtoi ai.

Tutje Gashi tha sërish se një veprim i tillë nga ana e Prokurorisë Speciale karshi Millan Radoiçiqit do të ndikojë në bashkëpunimin dhe komunikimin mes qytetarëve të veriut dhe organeve të rendit e të drejtësisë së Kosovës.

Ish-prokurori special, Sylë Hoxha, tha se kërkesa të shumta ka pasur nga avokatë e individë të caktuar që të heqë urdhër-arrestin ndaj Radoiçiqit.

“Unë në këtë rast, kam vepru dhe kam marrë informacione nga Krimet e Rënda, raporte e të gjitha. Edhe raportet e AKI përpunohen. Unë nuk kam pasur pengesa, përveç atyre pengesave që thash që nuk kemi mujt sepse skam qenë prej fillimit në rast dhe nuk na ka ndihmu s’kemi pasur hyrje-dalje. Kërkesa për me tërheq urdhër-arrestin kanë ardhur nga persona në Kosovë jo ndërkombëtarë, ka pasur avokatë që kanë ardhur në emër të personave të ndryshëm”, tha Hoxha.

Gazetari Branisllav Krstiq tha se është në dijeni për punën që bën Lista Serbe dhe se si funksionon ajo.

“Nuk jam i ofenduar kur flasim për veriun. Kreshnik je tu fol  për njerëzit që po frikësohen. Po, unë jam serb i veriut, por jam edhe kosovar, edhe unë jam nëpër rrjetet e internetit kundër Listës Serbe sepse jam tu mendu që Lista Serbe nuk po punon për serbët e Kosovës. Shumë vështirë është me qenë në një emision kur flitet për të ashtuquajturit boss-ët e veriut. Unë nuk kam asnjë problem me folë për disa vendime e Listës Serbe dhe Qeverinë e Kosovës, kundër kryeministrit sepse ai është ai që duhet me ndihmu që populli serb kosovar janë qytetarë të këtij shteti. Nuk e di se si do të bëhet situata e re me qeverinë e re. Më duket për serbët e Kosovës po vijnë ditë më të mira, ajo është çka mendoj unë”, tha gazetari Krstiq.