Rritja e çmimeve ministrja Hajdari u gjetën shkelje në 30 biznese

Ministrja e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari në një konferencë për media tha se pas situatës së krijuar në vend nga coronavirusi kanë angazhuar veçanërisht Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, atë të Rezervave Shtetërore, Inspektoratin e Tregut dhe atë të Punës.

Ajo ka shtuar se në bazë të Ligjit për Tregun e Brendshëm kanë marr veprime me një urdhëresë e cila do të menaxhojë mos rritjen e çmimeve, si dhe ka theksuar se situata është nën kontroll.

Ministrja shtoi se kanë pranuar rreth 1 mijë thirrje nga konsumatorët dhe ankesat kanë pasur të bëjnë kryesisht për rritjen e çmimeve në veçanti ato të produkteve ushqimore.

Ndërkaq, sipas ministres Hajdari nga Inspektorati i Tregut janë inspektuar 900 subjekte afariste.

“Nga këto kemi gjetur mbi 30 shkelje kryesisht të natyrës së rritjes së çmimeve dhe për këto janë marr masa sipas legjislacionit në fuqi. Inspektorati i Punës ka kryer 350 inspektime, shkelet janë hasur në mungesë të pajisjeve mbrojtëse pastaj edhe në deznifektim të hapësirave dhe duke mos respektuar distancën e rekomanduar”, tha ajo.

Sipas Hajdari nuk ka nevojë për panik as për rezerva shtetërore.

“Kemi ushqime të majftueshme. Kemi edhe rezerva nën kontroll, gruri e të tjera, pra mallëra ushqimore, nafta dhe barnat”, shtoi ajo.