Vërshimet në Deçan

Rritet rreziku për vërshime në Deçan

Komuna e Deçanit është njëra ndër zonat e rrezikuara nga vërshimet të cilat pritet të ndodhin pas reshjeve të shiut aktulisht në vend.

Izet Zenuni drejtor për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike në Deçan ka thënë për KALLXO.com, se janë në terren duke e monitoruar situatën. Sipas tij situata ka kaluar pak përtej normales.

“Jemi në terren për momentin i kemi 5 ose 6 pika të rrezikut të evidentuara. Situata ka kaluar pak përtej normales jemi në pjesën ku munden mu paraqit rreziqe edhe më të mëdha pasi ne i kemi dy lumenj të mëdhenj që kalojnë përmes Deçanit” – shtoi Zenuni.

Sipas tij në rrezik janë edhe disa pjesë të vendbanimeve.

“Duboviku, Carrabreg i Epërm, Isniqi, një pjesë e komunës së Deçanit – një pjesë e qytetit ka rreziqe” – shtoi ai.

Zenuni ka treguar se në këto pjesë është rritur niveli i ujit dhe është duke u rrit ndërkaq, nuk ka pjesë të pa kaluara.

KALLXO.com po raporton vazhdimisht lidhur me këtë situatë.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka paralajmëruar disa zona të cilat mund të kenë situatë të vështirë si pasojë e reshjeve të shiut.