Arkiv - Vërshimet në Vushtrri - Janar 2021 - Foto: KALLXO.com

Rreziku nga vërshimet, situata e fundit nga komunat e prekura

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka paralajmëruar disa zona të cilat mund të kenë situatë të vështirë si pasojë e reshjeve të shiut.

Deri më tani KALLXO.com ka kontaktuar disa nga komunat që janë në zonën e kuqe të rrezikut për vërshime Komunën e Klinës, Deçanit, Pejë, Prizren e Vushtrri, por që asnjëra nga këto komuna deri tani nuk ka pasur vërshime.

Situatë më e rënduar është në Komunën e Klinës dhe Deçanit.

Kryetari i Komunës së Klinës Zenun Elezaj, ka thënë se ka rritje të lumenjve por se nuk ka rrugë të pa kalueshme.

“Ka rritje të të gjithë lumenjve në mase të madhe ato lokalet te Guri i Zi janë përfshi por edhe nëpër fshatra në pjesën e Shtarices, e në disa pjesë tjera ka rritje të nivelit. Po e monitorojmë” – tha ai.

Sipas Elezaj rritje e ujit janë të mëdha ndërkaq ende nuk ka rrugë të pa kalueshme.

Edhe Izet Zenuni drejtor për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike në Deçan shtoi se janë në terren duke e monitoruar situatën. Sipas tij situata ka kaluar pak përtej normales.

“Jemi në terren për momentin i kemi 5 ose 6 pika të rrezikut të evidentuara. Situata ka kaluar pak përtej normales jemi në pjesën ku munden mu paraqit rreziqe edhe më të mëdha pasi ne i kemi dy lumenj të mëdhenj që kalojnë përmes Deçanit” – shtoi Zenuni.

Sipas tij në rrezik janë edhe disa pjesë të vendbanimeve.

“Duboviku, Carrabreg i Epërm, Isniqi, një pjesë e komunës së Deçanit – një pjesë e qytetit ka rreziqe” – shtoi ai.

Sipas Zenunit në këto pjesë është rritur niveli i ujit dhe është duke u rrit ndërkaq, nuk ka pjesë të pa kaluara.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Komunën e Pejës.

Faik Zekaj Zëdhënës i Komunës së Pejës ka njoftuar se nuk ka rrezik për vërrshime.

“Për momentin nuk ka vërshime janë disa rrugë që ka ujë po jo shumë. Pjesët e rrezikuara Fidanishtja është në rregull Qokolica është në rregull kështu që për momentin nëse sot bien gjatë ditës, e nesër mundet m`u rreziku po për momentin nuk ka rrezik e vështirësi” – shtoi ai.

Rrezik nuk ka as në Komunën e Prizrenit. Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com Ymer Berisha zëdhënës i Komunës së Prizrenit.

“Në 24 orët e fundit reshjet atmosferike kanë qenë të nivelit të ulët dhe nuk ka evidentim për vërshim në krejt territorin. Gjithçka është në rregull” – shpreh ai.

Ndërkaq, edhe Maliq Ferizi drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Vushtrrisë e ka konfirmuar se nuk ka pasur vërshime në këtë komunë.

“Edhe mbrëmë edhe sot kemi qenë në teren për momentin nuk kemi ndonjë vërshim” – tha ai.

IHMK paralajmëron vërshime edhe në ditët në vijim