Policia Kufitare në Vlorë dhe Durrës shpëton në tri raste disa persona që rrezikuan të mbyteshin në det. FOTO: Screenshot, Policia e Shtetit, Facebook.
Rrezikuan të mbyteshin në det, Policia në Vlorë dhe Durrës shpëton disa persona - VIDEO
Shërbimet e Policisë Kufitare shqiptare në Vlorë dhe në Durrës iu kanë dalë në ndihmë në tri raste, disa personave që rrezikuan të mbyteshin në det.
Këtë e ka bërë të ditur Policia e Shtetit përmes Facebook-ut.
Ata kanë shpjeguar se mesditën e sotme, një shtetase ka telefonuar për të kërkuar ndihmë, pasi anija turistike me të cilën ajo po lundronte bashkë me 27 shtetas të tjerë, kishte pësuar defekt, në zonën e Karaburunit.
Disa minuta më pas, dy shtetas finlandez kanë kërkuar ndihmën e Policisë, pasi në zonën e quajtur “Shpella e Piratëve”, kishin humbur kontrollin e mjetit lundrues kanoe, për shkak të dallgëve, dhe e kishin të pamundur kthimin në breg.
“Menjëherë, dy skuadra të Policisë Kufitare Vlorë janë nisur bashkë me mjetet lundruese të Policisë Kufitare, në vendet ku kishin ngelur në det dy mjetet lundruese. Ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve të Policisë Kufitare ka bërë të mundur lokalizimin dhe nxjerrjen në breg të mjetit lundrues anije turistike me 28 pasagjerë në bord dhe të mjetit lundrues kanoe me të cilin lundronin dy shtetasit finlandezë”-ka shkruar Policia e Shtetit.
Gjithashtu është bërë e ditur se edhe në plazhin e Spillesë, shërbimet e Policisë Kufitare Durrës, bashkë me rojën e plazhit, kanë shpëtuar një 44 vjeçar dhe djalin e tij 9 vjeç që rrezikuan të mbyteshin ndërkohë që po laheshin në det. Sipas Policisë së Shtetit, ata u nxorrën në breg dhe iu dha ndihma e parë.
“Të gjithë shtetasit që rrezikuan që mbyteshin në det, aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Ata kanë falënderuar punonjësit e Policisë Kufitare, që i shkuan në ndihmë në kohë rekord”-ka përmbyllur Policia e Shtetit.