Rreth 550 zyrtarë publikë ende nuk e kanë deklaruar pasurinë, sot përfundon afati

Sot është dita e fundit për deklarimin e pasurisë, ndërsa Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) njofton se rreth 550 zyrtarë publik ende nuk e kanë bërë deklarimin e pasurisë.

Sipas Ligjit, afati ligjor për deklarim është nga 1 deri më 31 mars të çdo viti kalendarik.

AKK-ja u ka bërë thirrje zyrtarëve publik që ta shfrytëzojnë kohën e mbetur, ndërsa formulari i deklarimit mund të dorëzohet fizikisht në zyrat e AKK-së gjatë orarit të rregullt të punës, ose i skanuar dhe nënshkruar përmes adresës elektronike.

“Zyrtarët publik duhet ta deklarojnë gjendjen e pasurisë së tyre dhe anëtarëve e familjes së tyre, informatat rreth pasurisë, të ardhurave të tyre, si: paluajtshmëria, pasuri e luajtshme në vlerë mbi tre mijë (3,000) euro, zotërimi nga ana e tyre i aksioneve në shoqëri tregtare, letra me vlerë, para të kursyera në bankë dhe në institucione tjera financiare, detyrime financiare ndaj personave fizik dhe juridik dhe të hyrat vjetore, të realizuara brenda apo jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Po ashtu, Agjencia ka paralajmëruar zyrtarët publikë, që mosdeklarimi i pasurisë paraqet vepër penale dhe e detyron AKK-në të veprojë në pajtim me Kodin Penal të Kosovës.