Dritarja e dhomës së djegur në Spitalin e Pejës, 29.05.2024

Rreth 30 mijë euro vlera e dëmit të shkaktuar nga zjarri në Spitalin e Pejës

Rreth 30 mijë euro është vlera e dëmit nga zjarri në Spitalin e Pejës, që dyshohet se u shkaktua qëllimshëm më 29.05.2024.

“Dëmet e shkaktuara nga zjarrvënia janë dame të teknologjisë informative të rrjetit të brendshëm të spitalit, serverë, DVR, kabllo optike, dëme infrastrukturale që në tërësi përafërsisht arrijnë vlerën e prej 30 mijë eurove” – tha drejtori i Spitalit, Fazli Shala për KALLXO.com.

Shala shtoi se për këtë është njoftuar deri në detaje edhe Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (ShSKUK) nga komisioni i formuar për të vlerësuar dëmin.

Prokuroria e Pejës ka njoftuar se rasti po hetohet si zjarrvënie e qëllimshme dhe po punon në identifikimin e personit apo personave që kanë shkaktuar zjarrin.

Spitali i Pejës është shprehur i shokuar nga ky sulm dhe ka treguar se pamjet e kamerave të sigurisë treguan se zjarri ishte shkaktuar qëllimshëm.

Ky zjarr nuk ka shkaktuar dëme në njerëz, por Spitali ka thënë se ka qenë fat që zjarri është lokalizuar shpejt, sepse në të kundërtën sipas tyre “do të kishte tragjedi, ngase sulmuesi rrezikoi jetën e qindra pacientëve dhe personelit”.