Foto: Facebook
Reagimi i Spitalit të Pejës për zjarrin: Sipas kamerave të sigurisë një person ka hyrë me forcë
Spitali i Pejës është shprehur i shokuar me sulmin ndaj këtij institucioni që ndodhi përmes shkaktimit të zjarrit në njërën prej dhomave më 29.05.2024, duke e quajtur atë sulm brutal, monstruoz dhe të tmerrshëm.
Ky reagim vjen pasi që hetimet e Prokurorisë e të Policisë dhe pamjet e kamerave të sigurisë treguan se zjarri ishte shkaktuar qëllimshëm.
Në një reagim të Spitalit thuhet se ka qenë fat që zjarri është lokalizuar shpejt, sepse në të kundërtën sipas tyre “do të kishte tragjedi, ngase sulmuesi rrezikoi jetën e qindra pacientëve dhe personelit”.
“Në mëngjesin e hershëm të së mërkurës, rreth orës 02:20 pas mesnate, një person, sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, ka hyrë me forcë në dhomën ku janë pajisjet e Teknologjisë Informative dhe i ka vënë flakën kësaj dhome. Ky akt i paprecedentë ka shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe ka tronditur thellë stafin dhe pacientët tanë” – thuhet në reagim.
Spitali thotë se në ambientet ku ka ndodhur sulmi, gjendet edhe arkiva e spitalit me plot dokumente që nga themelimi i spitalit, dhe në këtë bllok të spitalit janë të përqendruar shumica e shtretërve të spitalit.
Duke shpresuar që kryerësi i veprës të marrë dënimin e merituar, Spitali ka falënderuar organet hetimore për punën e tyre.
Prokuroria e Pejës tha sot se po punon në identifikimin e personit apo personave që kanë shkaktuar këtë vepër.
“Për këtë çështje janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore nga ana policore për identifikimin e personit apo personave që e kanë shkaktuar këtë zjarrvënie dhe njëkohësisht për arrestimin e tyre” – tha zëdhënësi i kësaj Prokurorie, Shkodran Nikçi.
Dyshimet e para të Spitalit të Pejës ishin se zjarri u shkaktua nga një defekt në sistemin elektrik.
KALLXO.com vizitoi më 29.05.2024 Spitalin e Pejës por nuk u lejua që të marrë pamje brenda spitalit, te vendi i ngjarjes, me arsyetimin se Policia nuk lejon afrimin te vendi i ngjarjes.
“Fatmirësisht (zjarri) është vërejtur herët nga pjesëtarët e sigurimit fizik. Është njoftuar me kohë, kanë ardhë zjarrfikësit dhe Policia dhe është arritë që të lokalizohet zjarri dhe të mos shkojë më shumë sesa në atë dhomë” – tha Zëdhënësi i Spitalit, Naim Sahiti më 29.05.2024.
Sipas tij, të gjitha të dhënat janë të ruajtura nëpër sisteme të tjera informative, pavarësisht djegies së pajisjeve.
“Në katin e katërt ndodhen vetëm shërbimet administrative dhe teknike. Nuk ka qenë askush aty në atë orë. Nuk ka pasur asnjë shqetësim për pacientët apo për shërbimet shëndetësore” – tha Sahiti i pyetur se a ka pasur pacientë apo punonjës afër dhomës kur ka nisur zjarri.
Sipas njoftimit që Spitali bëri atë ditë, shërbimet për pacientë kanë vazhduar të jepen si gjithnjë, ndërsa shërbimet teknike po merren me pastrimin e riparimet e nevojshme në dhomën e djegur dhe ambientet e tjera të katit të katërt të bllokut kirurgjik.