Spitali i Pejës - Foto: KALLXO.com
Spitali i Pejës i dërgon në komision disiplinor dy punonjësit që u rrahën mes vete
Spitali i Pejës i ka dërguar në komision disiplinor dy punonjësit që dyshohet se janë rrahur mes vete në një lokal më 05.06.2024.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i spitalit, Fazli Shala, megjithëse ka deklaruar se zënka ka ndodhur jashtë spitalit dhe ai nuk ka autoritet si menaxhment në të tilla raste.
“Zënka në mes të dy punonjësve të spitalit ka ndodhur jashtë hapësirës së spitalit ku unë nuk kam autoritet si menaxhment. Arsyen pse ka ndodhë, unë nuk e di. Kjo është çështje personale e tyre që s’ka të bëjë me obligimet e punëve të tyre në institucion. Organet e hetuesisë janë të njoftuar dhe janë duke u marrë me rastin. Edhe përkundër kësaj që ka ndodhë jashtë hapësirës së spitalit ne i kemi proceduar për komision disiplinor” – u përgjigj Shala, i pyetur nga KALLXO.com se si kanë vepruar lidhur me këtë rast.
Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka njoftuar se rasti është cilësuar si sulm.
Të dyshuarit janë intervistuar dhe janë liruar në procedurë të rregullt.
“Sot rreth orës 10:55 policia është njoftur se në një lokal afër spitalit rajonal janë përlesh dy persona. Policia ka dalë, i ka intervistuar dy të dyshuarit. Rasti është cilësuar si sulm. Është njoftuar prokurori, rasti shkon në procedurë të rregullt” – ka thënë Zëdhënës i Policisë në rajonin e Pejës, Fadil Gashi më 05.06.2024.