Rreth 130 mijë konsumatorë preken nga shtrenjtimi i rrymës

Rreth 130 mijë konsumatorë do të preken nga shtrenjtimi i energjisë elektrike që do të nis të faturohet nga nesër.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka miratuar sot propozimin për vendosjen e bllok tarifave prej 800 kilovatë. Sipas këtij vendimi të gjithë ata që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në muaj do të kenë shtrenjtim të rrymës.

Për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Ndërsa të gjithë ata që shpenzojnë nën 800 kilovatë nuk do të preken nga ky vendin. Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë në atë të lartën apo të ditës.

Bllok tarifat do të vlejnë vetëm për konsumatorët shtëpiakë ndërsa për ata komercialë (bizneset) nuk do të ketë.

Kryetari i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu deklaroi se 80% e konsumatorëve janë që shpenzojnë nën 800 kilovatë energji elektrike në muaj. Po ashtu, ai tha se konsumatorët që shpenzojnë 1000 kilovatë do të kenë rritje mesatarisht prej 10 euro.

Ymer Rudari nga departamenti i tarifave brenda ZRrE tha se Furnizuesi me Shërbim Universal – KESCO, në komentet e tij ka propozuar që rritja e çmimit të energjisë elektrike të jetë lineare për të gjithë konsumatorët.

Një propozim të tillë kryetari i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu e quajti të papranueshëm.

Qeveria e Kosovës është zotuar për subvencionim të energjisë elektrike në vlerë prej 90 milionë euro duke shtuar këtu edhe 10 milionë euro të cilat janë ndarë nga Qeveria në janar, për të zbutur krizën energjetike dhe për të ulur ndikimin e tarifave të energjisë për konsumatorët.

Subvencionet paraqesin të ardhura për sektorin që nuk është e nevojshme të mbulohen nga tarifat e energjisë elektrike dhe, rrjedhimisht, zbusin rritjen e tarifës së energjisë elektrike.