Ilustrim

ZRrE: Vendimi për tarifa ka hyrë në fuqi më shkurt, është përgjegjësi e KESCO-s ta implementojë

Kryetari i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu ka folur rreth kërkesës së KESCO-s që vendimi për hyrjen në fuqi të tarifave të reja të mos zbatohet nga data 9 shkurt 2022, por të nisë së zbatuari në ciklin e ardhshëm të faturimit apo prej muajit mars.

Fejzullahu pas mbledhjes së bordit tha se vendimi ka hyrë në fuqi që nga data 9 shkurt dhe është përgjegjësi e KESCO-s që të implementojë vendimin.

Ai shtoi se gjatë kësaj jave pritet të publikohet vendimi i plotë për tarifat e reja.

“Vendimi ka hyrë në fuqi më 9 shkurt dhe është përgjegjësi e KESCO-s që të implementojë vendimin. Vendimi do të publikohet gjatë kësaj jave”, tha ai.

Partia Socialdemokrate kishte protestuar të hënën brenda zyrave të ZRrE-së për shkak të vendosjes së tarifave të reja dhe mos publikimit të vendimit për to.

Të premten KESCO ka dorëzuar në ZRrE kërkesën që tarifat e reja të hyjnë në fuqi nga muaji mars.

Zyra e Rregullatorit ka vendosur më datën 8 shkurt që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 cent (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 cent (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 cent.

ZRrE vendos për tarifat e reja