Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KESCO: Bllok tarifa do të afektojë rreth 22% të konsumatorëve

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka bërë të ditur se është e përgatitur për implementimin e tarifave të reja të energjisë elektrike që hyjnë në fuqi nga data 9 shkurt deri me 31 mars të vitit të ardhshëm.

KESO ka njoftuar se për konsumin deri në 800  kWh nuk ka rritje.

“Pra, kjo vlen për të gjithë konsumatorët dhe të gjithë do të vazhdojnë të paguajnë njëjtë për 800 kWh e parë. Bllok tarifa që fillon nga shpenzimi mbi 800 kWh e tutje do të afektojë rreth 22 për qind të konsumatorëve. Pra, për 78 për qind të konsumatorëve nuk do të ketë fare rritje”, thuhet në një njoftim për media.

Por, sipas KESCO, konsumatorët duhet të kenë kujdes pas kalimit të pragut ku është vendosur bllok tarifa, kjo, pasi kilovatët e shpenzuar nga 801 e tutje kanë çmim të ndryshuar, që nxit kursimin e energjisë elektrike.

“KESCO njofton që është duke punuar në përditësimin e tarifave në aplikacionin e-KESCO, prandaj disa të dhëna nuk mund të shfaqen për momentin”, thuhet në njoftim.

Dje, Zyra e Rregullatorit ka vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovat është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Po ashtu, bordi i ZRrE-së ka vendosur që blloqet do të vlejnë vetëm për konsumatorët shtëpiakë ndërsa për ata komercialë (bizneset) nuk do të ketë.
Kurse, Kuvendi me kërkesë të tri partive opozitare po mbanë sot seancë të jashtëzakonshme, debat parlamentar për vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, për shtrenjtimin e rrymës.