Rrëmbimi i dy shtetasve të Maqedonisë së Veriut, rrëfehet në Gjykatë i dëmtuari i dytë

Të akuzuar për rrëmbim, zyrtarët policor Visar Kërqeli dhe Besjan Neziri, si dhe Margona Islami, Valon Kiqina, Flamur Sopi dhe Merita Zymberi, kanë dalë para gjykatësit në Gjilan.

Në seancën e sotme, janë dëgjuar tre dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria.

Dëshmitari Ramadan Aliti nga Maqedonia Veriore, deklaroi se të akuzuarit nuk i njeh fare, të dëmtuarin Z. R., e ka djalë të dajës, ndërsa të dëmtuarin A. A., e ka vëlla. Dëshmitari deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklaratave të dhëna në polici dhe prokurori.

“Për rastin konkret që ka ndodhur, kam dëgjuar përmes dajës Nexhdetit, dhe i cili më ka lajmëruar përmes telefonit nga Zvicra, ku më ka thënë se “Zeqirin dhe Arbenin i ka zon dikush në Kosovë-Gjilan, shko lajmëroje rastin në polici”, tha dëshmitari Aliti.

Dëshmitari vazhdoi rrëfimin e tij duke deklaruar se kishte ardhur në Gjilan bashkë me vëllan e tij Ilirin dhe e kishte lajmëruar rastin në polici. Ai deklaroi se gjatë kësaj kohe Nexhdeti ia ka dërguar 2 video, ku shiheshin se Z. R., dhe A. A., i kanë pasur duart e lidhura.

Tutje ka dhënë dëshminë e tij, dëshmitari Ardian Kqiku, pronar i një kompanie për dhënien e veturave me qira, i cili deklaroi se ia kishte dhënë me qira veturën të akzuarit pa kompenzim dhe pa kontratë me shkrim, vetëm gojarisht.

Në vazhdim, në Gjykatë ka dhënë dëshminë dëshmitari Jusuf Hasani, i cili është pronar i restaurant-villa “Gërsheta” në Stanishor. Ai deklaroi se pos të akuzuarit Visar si qytetar dhe polic, të tjerët nuk i njeh. Lidhur me rastin, tha se është e vërtetë se Visari e ka thirrur në telefon dhe e ka pyetur se a ka ndonjë villë të lirë, dhe i ka thënë se ka villa të lira. Deklaroi se nuk ka dijeni sesi është kryer pagesa sepse nuk kishte qenë në Kosovë por në Shqipëri, dhe se tek villat nuk kanë të vendosur sistem të kamerave.

Pas tij, dha dëshminë edhe i dëmtuari në cilësinë e dëshmitarit, A. A., i cili deklaroi se në tërësi mbetet pranë deklaratave të dhëna në polici dhe prokurori.

“Gjatë asaj kohe sa kemi qendruar në villë nuk kemi komunikuar në telefon, ndërsa vajzat na kanë thënë se kanë komunikuar me bashkëshortët e tyre. Në ndërkohë, Marigona e ka thirrur të dëmtuari Z. R., në dhomën tjetër, dhe papritur ka hyrë i akuzuari Visar me grupin e tij, të cilin e kam njohur më vonë nga një emision televiziv”, tha i dëmtuari A. A.

Tutje dëshmitari deklaroi se ata kanë qenë 3 persona të cilët e kanë hapur derën me vrull, duke bertitur, dhe se dëshmitari e ka parë një revole të cilën e ka pasur i akuzuari Visar Kërqeli, dhe se ata kanë qenë me maska të pandemisë.

“Visari ka shkuar tek dhoma ku gjendej Zeqiri, ndërsa dy tjerët i janë vërsulur dëshmitarit, duke ia lidhur duart me pranga të plastikes. Natën kritike, doja të dija se çka është duke ndodhur por ata persona i më thanë se “çka të thotë baba ne veprojmë”, duke aluduar në Visarin te cilën e kam kuptuar më vonë”, tha në fund i dëmtuari A. A.

Pas përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme do të vazhdohet më 04 tetor.

Sipas aktakuzës, në mes datës 16 dhe 17 shkurt 2021, rreth orës 22:00, në një vilë në komunën e Novobërdës, të akuzuarit e lartshënuar, në bashkëkryerje, me dashje direkte dhe me qëllim të përfitimit material, kanë marrë dhe mbajtur të dëmtuarit Z.R. dhe A.A., në atë mënyrë që të akuzuarat Margona Islami dhe Merita Zymberi, fillimisht merren vesh që të dëmtuarit t’i joshin për marrëdhënie seksuale, ku aranzhojnë dhe shkojnë në një vilë, me ç’rast në momentin kur hyjnë brenda, pas një kohe aty arrijnë të pandehurit Visar Kërqeli, Besian Neziri dhe Valon Kiqina, ndërsa i pandehuri Flamur Sopi ka qëndruar jashtë vilës duke bërë roje.

Tutje, sipas Prokurorisë, gjatë kohës kur tre të pandehurit kanë hyrë brenda vilës, të njëjtit nën kërcënimin e armës, të dëmtuarit i kanë prangosur me pranga plastike, duke iu bërë video-incizime, të cilat ua kanë dërguar familjarëve të të dëmtuarve. Gjithashtu, të njëjtit gjatë periudhës sa të dëmtuarit kanë qenë të mbyllur ua kanë marrë portofolet dhe ndaj tyre kanë ushtruar edhe dhunë fizike, duke i goditur me shuplaka dhe armë.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

Rrëmbimi i dy shtetasve të Maqedonisë së Veriut, rrëfehet në Gjykatë i dëmtuari