Shiriti i Policisë, FOTO-Ilustrim

Arkitekti nga Nju Jorku akuzohet për vrasjen e tri grave në vitin 2010

Një arkitekt është akuzuar për vdekjen e tre nga 11 viktimat që u vranë në Gilgo Beach në shtetin e Nju Jorkut mbi një dekadë më parë, raporton BBC.

Rex Heuermann, 59-vjeçar po akuzohet për vrasjen e Melissa Barthelemy, Megan Waterman dhe Amber Costello. Po ashtu, ai po dyshohet edhe për vdekjen e një gruaje të katërt.

Të premten, i akuzuari, baba e i martuar, i cili është nga Long Island u deklarua i pafajshëm.

Detektivët thonë se ata përputhën ADN-në nga pica që i dyshuari hëngri me materialin gjenetik të gjetur në mbetjet e grave.

Komisioneri i Policisë së Qarkut Suffolk, Rodney Harrison tha në një konferencë shtypi të premten se “Rex Heuermann është një demon që ecën mes nesh – një grabitqar që shkatërroi familjet”.

I dyshuari, i cili u arrestua në shtëpinë e tij të enjten mbrëma, po përballet me tre akuza për vrasje të shkallës së parë dhe tre akuza për vrasje të shkallës së dytë.

Gjykatësi i çështjes urdhëroi që ai të qëndronte në paraburgim.

Pasi u deklarua në emër të tij në gjykatë, 59-vjeçari Heuermann thuhet se shpërtheu në lot, duke i thënë avokatit të tij “Unë nuk e bëra këtë”.

Avokati, Michael Brown, tha se klienti i tij ishte “i shqetësuar” dhe i quajti provat “jashtëzakonisht rrethanore”.

“Ne mezi presim ta luftojmë këtë çështje në gjykatë, jo në gjykatën e opinionit publik” – tha avokati Brown.

Barthelemy, Waterman dhe Costello u gjetën të vdekura në vitin 2010 pranë viktimës së katërt, Maureen Brainard-Barnes.

Gratë janë quajtur “Gilgo Beach Four”, e ato, sipas prokurorëve, të gjitha ishin punonjëse seksi.

Prokurori i Qarkut, Suffolk Ray Tierney tha në konferencën për shtyp të së premtes se secila nga katër viktimat u gjetën të pozicionuara në mënyrë të ngjashme, të lidhura në mënyrë të ngjashme me rripa ose shirit, me tre nga viktimat të gjetura të mbështjella në një material..

Prokurori vendas tha se çështja kundër të dyshuari Heuermann ishte ndërtuar mbi të dhënat e telefonit celular që e lidhnin atë me viktimat, si dhe me një kamionçinë që u pa pranë njërës prej shtëpive të viktimës.

Ai dyshohet se ka komunikuar me viktimat duke përdorur telefona të cilët më pas i ka asgjësuar.

Flokët e gjetura në një copë të ashpër të përdorur për të mbështjellë njërën prej viktimave ishin të lidhura me Heuermann nëpërmjet një kampioni nga një kuti picash që ai hodhi në një kosh plehrash në Manhattan në janar 2023, sipas autoriteteve.

Barthelemy ishte rrëmbyer në vitin 2009. Ndërsa Waterman dhe Costello ishin zhdukur në vitin 2010.

Heuermann është gjithashtu një i dyshuar kryesor për vdekjen e Brainard-Barnes, e cila u rrëmbye në vitin 2007, megjithëse ai deri më tani nuk është akuzuar për vdekjen e saj.

Në vitin 2010, policia po kërkonte për një grua të zhdukur, Shannan Gilbert, kur zbuloi eshtrat e katër të tjerëve.

Gjithsej, 11 grupe mbetjesh njerëzore u gjetën në të njëjtën zonë të plazhit Gilgo midis viteve 2010-11, të lidhura me nëntë gra, një burrë dhe një foshnjë. Identiteti i katër, përfshirë vogëlushin, nënën e saj dhe burrin, mbeten të paidentifikuar.

Eshtrat e Gilbert u gjetën përfundimisht dhe një ekzaminim zyrtar pas vdekjes nuk ishte përfundimtar.

Familja e saj beson se ajo mund të jetë vrarë – një teori e mbështetur nga një autopsi e pavarur që ata porositën.

Një grup i ri pune për të hetuar vrasjet e Gilgo Beach u formua në shkurt 2022.

Heuermann u bë fokusi i hetimit brenda një muaji, tha Tierney. Më shumë se 300 fletëthirrje dhe urdhra kontrolli u lëshuan nga hetuesit për rastin.

Hetimet për viktimat e tjera janë duke vazhduar.

Heuermann është pronar i RH Consultants and Associates, një firmë arkitekturore në Manhattan që e përshkruan veten si “firma kryesore arkitekturore e qytetit të Nju Jorkut”.

Associated Press ka raportuar se ai ka një vajzë dhe një djalë. Një fqinj përshkroi të dyshuarin që shkonte në punë çdo mëngjes, i veshur me kostum dhe kravatë dhe mbante një çantë.

Njerëzit që jetonin pranë shtëpisë së tij në Parkun Massapequa të Long Island shprehën habi për arrestimin e tij.

“Djali ka qenë i qetë, kurrë nuk shqetëson askënd” – tha fqinji Etienne DeVilliers për CBS, partneri amerikan i BBC-së.

“Jemi të shokuar. Sepse kjo është një lagje shumë, shumë e qetë. Të gjithë e njohin njëri-tjetrin, të gjithë fqinjët tanë, të gjithë jemi miqësorë” – thuhet tutje.