Gjykimi për rrëmbim - Foto: KALLXO.com

Rrëmbimi i dy shtetasve të Maqedonisë së Veriut, rrëfehet në Gjykatë i dëmtuari

Të akuzuar për rrëmbim, zyrtarët policorë Visar Kërqeli dhe Besjan Neziri, si dhe Margona Islami, Valon Kiqina, Flamur Sopi dhe Merita Zymberi, kanë dalë para gjykatësit në Gjilan.

Në seancen e sotme, e cila ishte e para e shqyrtimit gjyqësor, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm rreth akusës së Prokurorisë.

Duke dhënë fjalën hyrëse, prokurori Agron Uka tha se provat të cilat janë rekomanduar në aktin akuzues japin bazë të mjaftushem për të vazhduar me procedimin e kësaj çështjeje.

“I propozojmë Gjykates që të vazhdojë me shqyrtimin gjyqësor dhe konsiderojmë se deri në përfundim të procesit do të vërtetohet se të akuzuarit e kanë kryer veprën me të cilën Prokuroria i ngarkon”, tha ndër të tjera prokurori Uka.

Kurse, gjithë të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre e kundërshtuan aktin akuzues, duke thënë se deri në përfundim të këtij procesi do të vërtetohet se të akuzuarit janë të pafajshëm.

Tutje, në cilësinë e dëshmitarit, u dëgjua i dëmtuari Z.R., i cili tha se ka dhënë deklaratë në Polici dhe në Prokurori dhe se mbetet pranë tyre.

Ai tha se në një kafiteri në fshatin Likovë të Maqedonisë së Veriut është takuar me tani të akuzuarën Margona Islami.

“Përmes kamarierit ia kam dërguar numrin tim të telefonit Margonës dhe pasi jemi larguar nga kafiteria kam filluar të shkruaj me të në Viber. Pas kësaj jemi takuar edhe njëherë në Ferizaj, pastaj pas një jave jemi takuar prapë dhe në takimin e tretë kanë qenë dy të akuzuarat, edhe Margona edhe Merita, të cilat janë motra mes vete”, tha dëshmitari Z.R.

Tutje ai tha se pas afërsisht 10 ditësh ka ardhur me një person tjetër dhe janë takuar me dy të akuzuarat dhe kanë shkuar te një hotel. Gjithashtu tha se vendin ku sipas Prokurorisë ka ndodhur rrëmbimi e ka caktuar (për të shkuar) e akuzuara Margona Islami dhe se kur kanë shkuar aty pas një kohe kanë kërcitur dyert dhe brenda në vilë kanë hyrë të akuzuarit të cilët kanë qenë me maska në kokë dhe të gjithë kanë qenë të armatosur.

Marrja në pyetje e të dëmtuarit Z.R. ka vazhduar deri pas përfundimit të orarit të punës. Andaj seanca e sotme do të vazhdojë më 27 shtator.

Sipas aktakuzës, në mes datës 16 dhe 17 shkurt 2021, rreth orës 22:00, në një vilë në komunën e Novobërdës, të akuzuarit e lartshënuar, në bashkëkryerje, me dashje direkte dhe me qëllim të përfitimit material, kanë marrë dhe mbajtur të dëmtuarit Z.R. dhe A.A., në atë mënyrë që të akuzuarat Margona Islami dhe Merita Zymberi, fillimisht merren vesh që të dëmtuarit t’i joshin për marrëdhënie seksuale, ku aranzhojnë dhe shkojnë në një vilë, me ç’rast në momentin kur hyjnë brenda, pas një kohe aty arrijnë të pandehurit Visar Kërqeli, Besian Neziri dhe Valon Kiqina, ndërsa i pandehuri Flamur Sopi ka qëndruar jashtë vilës duke bërë roje.

Tutje, sipas Prokurorisë, gjatë kohës kur tre të pandehurit kanë hyrë brenda vilës, të njëjtit nën kërcënimin e armës, të dëmtuarit i kanë prangosur me pranga plastike, duke iu bërë video-incizime, të cilat ua kanë dërguar familjarëve të të dëmtuarve. Gjithashtu, të njëjtit gjatë periudhës sa të dëmtuarit kanë qenë të mbyllur ua kanë marrë portofolet dhe ndaj tyre kanë ushtruar edhe dhunë fizike, duke i goditur me shuplaka dhe armë.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.