Dinarë serbë Foto: Milica Stojanovic | BIRN

Rregullorja e BQK-së dhe partneriteti me aleatët, flasin nga pozita dhe opozita

Kosova vazhdon të ketë koordinim me partnerët ndërkombëtarë, ka thënë shefja e deputetevë të partisë në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, teksa ka komentuar çështjen e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin serb.

Në anën tjetër nga partitë opozitare thanë se kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të jetë në bashkërendim me aleatët për këtë çështje.

Kusari-Lila theksoi para gazetarëve se BQK-ja e ka planin 10-pikësh për valutën.

“Sa i përket rregullores së BQK-së, ajo e ka marrë vendimin por edhe planin 10 pikësh. Sa i përket koordinimit me partnerët ka qenë e theksuar gjatë gjithë deklarimeve, krerët e shohin si të përhershëm partneritetin me shtetet mike. Në këtë pikë them se koordinimi vazhdon me ta, janë disa çështje në të cilat nuk ka pasur dallim në parime, ka pas dallime në afatet kohore të zbatimit. Këtu prapë po e ritheksoj se komunikimi vazhdon me SHBA dhe vendet tjera, është çështje e Kosovës dhe e zbatimit të Kushtetutës. Të gjithë jemi të njëjtit mendim që valuta e Kosovës është Euro” – ka deklaruar Kusari-Lila.

Kurse, deputetja Blerta Deliu- Kodra nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka thënë se kjo parti kohë më parë ka bërë të ditur qëndrimin e saj.

“Kemi kërkuar që të ketë koordinim me partnerët tanë. Kemi shënuar përvjetorin e Pavarësisë, nuk ka pas asnjëherë përvjetor më të zbehtë, ka qenë pa aleatë, prandaj kemi kërkuar tash e sa kohë, në kohën kur jemi nën sanksione, vetëm të ketë koordinim dhe bashkërendim me partnerët tanë. Nuk dua të besoj që do kemi sanksione të reja. Po e them partneriteti duhet të forcohet më shumë, në këtë kohë të incizonit te Serbisë, pas zhvillimeve në Banjskë. Ka tri vite që Kosova nuk ka angazhime në anëtarësim në organizata” – tha ajo.

Ndërsa, Besnik Tahiri nga AAK-ja, në konferencën për media tha se marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në “kurrë s’kanë qenë më keq.”

“Jemi nën sanksione, SHBA-të nuk e trajtojnë si partner, por si palë. Valuta në Kosovë është Euro, dinari nuk ka vend të qarkullojë. Jemi kundër dhe dinari nuk duhet të jetë valutë as në pjesën veriore dhe askund. Dihet botërisht dihet që Euro është valutë në Kosovë që nga legalizimi i kësaj valute” – tha Tahiri.

Ai ka shtuar se si AAK-ja në takimet me zyrtarë të BE-së, kanë kërkuar që sanksionet ndaj Kosovës, të hiqen.

“BE duhet t’i largojë sanksionet ndaj Kosovës, si Aleancë edhe në takime me BE kemi kërku të hiqen. Kurti po i takon ambasadorin e BE-së, nuk ka sanksion ndaj Kurtit po ndaj qytetarëve. Në prill shpërndahet Parlamenti Europian, më 9 qershor janë zgjedhjet, nuk pres që as në dhjetor nuk kanë me u formu, andaj konsideroj qe ky vit mund te jetë vit i humbur për Kosovën. Sanksione nuk ka ndaj qeverisë, por ndaj projekteve kapitale. BE duhet të ketë një ofertë për Kosovën për sigurim të vendit. Siguria e Kosovës rregullohet me anëtarësim në NATO, shpresoj të ketë anëtarësim në Këshill të Europës” – ka deklaruar tutje Tahiri.

Ndërkohë, për cështjen e rregullores së BQK-së u fol edhe në një takim të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe ambasadorët e Francës, Italisë dhe Gjermanisë.

Në këtë takim të mbajtur më 21.02.2024, sipas një komunikate të Presidencës, Osmani ritheksoi se është me rëndësi që nuk po kërkohet që kjo rregullore të shfuqizohet, “por thjesht që të punohet në një plan tranzicioni për zbatim të saj e cila merr parasysh edhe shqetësimet e të gjithë qytetarëve që mund të afektohen nga një vendim i tillë.”

“Duke ritheksuar rëndësinë e zbatimit të Kushtetutës në çdo cep të Kosovës, Presidentja ka shtuar se suksesi në këtë drejtim është i lidhur edhe me nivelin e bashkëpunimit me aleatët tanë të cilët kanë qenë gjithnjë mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë, sovranitetit dhe sigurisë së shtetit tonë”- u tha në komunikatë.

Ndryshe më 01.02.2024, hyri në fuqi rregullorja e BQK-së, e cila përcakton se Euroja është valuta e vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë dhe për transaksionet e pagesave.

Me këtë rregullore është ndaluar edhe dinari serb, i cili deri më tash ka qarkulluar në mjediset me shumicë serbe në Kosovë, sepse qytetarët serbë, në këtë valutë, kanë pranuar pagesa të ndryshme nga buxheti i Serbisë: rroga, pensione, ndihmë sociale, shtesa për fëmijë e të tjera.

Kundër vendimit të BQK-së ka dalë SHBA-ja, ambasadori i së cilës në Kosovë Jeff Hovenier ka kërkuar që zbatimi i rregullores të shtyhet.