Rrëfimi i inxhinierit për ‘Kullat e Jasharëve’ - VIDEO

Lahudin Myrtaj me profesion inxhinier, në vitin 2000 është angazhuar nga shtabi i UÇK-së në Prekaz për të bërë një konservim emergjent të shtëpive të Jasharëve, të cilat u shkatërruan nga forcat serbe në sulmin e marsit të vitit 1998.

Sot 24 vjet pas, Myrtaj ka folur për herë të parë në emisionin “Kallxo Përnime” për ndërtimin e skelave.

Skelet që janë të vendosura, kanë qenë të menduara për emergjencë, pra që të ndalojnë dëmtimin e këtyre shtëpive.

Edhe platformat e drurit po ashtu kanë qenë të vendosura për emergjencë, sa me ua mundësu vizitorëve me ec e me pa shtëpinë.

Myrtaj ka thënë se s’ka besuar që edhe pas 24 vjetëve, askush s’ka intervenuar që të bëhet një konservim profesional i këtij Memoriali.

Ai ka shtuar se nuk ka dhënë garanci që këto skele do të qëndrojnë mbi 24 vjet.

“Këto shtëpi duheshin të ruheshin si nga faktori njeri si nga faktori kohë, Prej meje si inxhinier i ndërtimit kanë kërkuar që ta udhëhiqi këtë konservim, këtë mbulim të këtyre objekteve me këto materiale të asaj kohe, Pothuajse afër 60 ditëve kemi punuar pa ndërprerë. Nuk kam besu që 24 vjet ky kompleks do të mbetet në këtë formë” – tha Myrtaj.

Ai shtoi se në atë kohë ndonëse u kanë munguar mjetet e punës, vullneti ka qenë për ta konservuar këtë kompleks.

“Na kanë mungu mjetet, kemi punuar me mjete të thjeshta krejt me dorë i kemi punu, por vullneti i atyre punëtorëve të cilët as nuk i kam njohur, kemi punu tërë ditën edhe në at të ftohtë, deri më 3 mars është bo ky konservim”, – tha Myrtaj.

Ai ka rrëfyer edhe për idenë që kullës t’i vendosen disa platforma (dërrasa) nga jashtë në mënyrë që vizitorët të mos hynë brenda.

“Kur kanë hyrë vizitorët brenda, edhe kanë dëmtu ngapak, kanë marr ndonjë relikt se mas lufte ka pasur gjithçka edhe është mëndu që të mbrohet edhe mos të hyjnë njerëzit brenda, por me hy vetëm tek këto platforma. Tri platforma janë dhe e kam përdor metodën e marimangës”, – tha Myrtaj.

Por Myrtaj ka shtuar se sot nuk do guxonte që ta bënte punën që e ka bërë para 24 vjetëve në kompleksin memorial “Adem Jashari.”

“Po nga ajo kohë është në këtë gjendje, unë s’pajtohna me këtë por ja. S’pajtohna që të mbesin këto skele e këto punime 24 vjet. Unë kam menduar që ky konservim do të mbetet për 2-3 vite vetëm jo më shumë, bile edhe ajo më është dukur shumë, mbi dy vite s’kisha leju këtu. Këto skele as nuk duken të bukura për sy, janë të vrazhda, ka lloj-lloj vizitorësh. Nuk kisha besu që edhe druri që është përdorur për platformë do të qëndronte kaq gjatë sepse nuk është aq kualitet” – thotë Myrtaj.