Pse edhe pas 24 vjetëve nuk u konservuan kullat e familjes Jashari në Prekaz?

Kullat e familjes heroike Jashari në Prekaz të Skenderajt mbesin të rrezikuara nga shembja, kjo pasi ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga sulmi i forcave serbe ndaj tyre, objektet në kuadër të kompleksit memorial “Adem Jashari”, ende nuk janë konservuar.

Në emisionin “Kallxo Përnime” po flitet për dështimin për menaxhimin e kompleksit “Adem Jashari”.

Në mars të vitit 2019 ishte themeluar komiteti ndërministror për realizimin e projektit për konservimin e kompleksit memorial “Adem Jashari” pas miratimit të Ligjit për këtë kompleks, në fund të 2018-ës.

Ish-drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj në emisionin “Kallxo Përnime” tha se ka ekzistuar një frikë tek të gjithë akterët se mos po bëhet ndonjë projekt “shkel e shko”.

“A me vazhdu me atë projekt që ka qenë apo me prit derisa kompania e cila e merr menaxhimin e projektit, ta bëjë një të ri. Fatkeqësisht ra ajo qeveri, erdh qeveria tjetër, që u deshën procedurat prapë prej fillimi, por edhe kjo tjetra qeveri smundi të bëj asgjë konkrete. Kjo qeveria tjetër Kurti, morën vendime konkrete u caktuan ekspertët për ta bërë detyrën projektuese, u caktu komisioni i ekspertëve” – tha Zogaj.

Zogaj ka shpjeguar se pas kësaj, filluan procedurat tenderuese për master planin, që sipas projektit, kompleksi “Adem Jashari” ndahet në tri zona.

“Janë 450 hektarë si pjesë e kompleksit, zona e parë janë varrezat, kullat, muzeu ku ka me qenë deri te bunkeri, pjesa tjetër peisazh dhe pjesa tjëtër, fabrika e municionit. Në bazë të detyrës projektuese, do të jenë një projekt i jashtëzakonshëm ndërsa nëse kërkojna fajtorin, është e vërtetë se të gjitha nga pak jemi fajtor”- tha tutje Zogaj.