RRAHMAN JASHARAJ

Rrahman Jasharaj tregon se çfarë do të ndodhë nëse mësimdhënësve nuk u dalin pagat deri nesër

Greva në arsim që kishte filluar më 25 gusht është pezulluar më 1 tetor deri në janar të vitit 2023.

Mirëpo, mësimdhënësve që ishin në grevë, Qeveria nuk ua ka dhënë pagat për muajin shtator.

Lidhur me këtë, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se këtë veprim e konsiderojnë si thikë pas shpine nga ana e Qeverisë.

“Vendimin e Qeverisë Kurti për të mos i realizuar pagat e konsiderojmë si thikë pas shpine, aq më tepër ndonëse pagat nuk u janë dhënë vetëm sektorit të arsimit që ishin në grevë por i janë dhënë shërbyeseve civilë të cilët po ashtu me SBASHK-un ishin në grevën e shpallur nga BSPK-ja… Mësimdhënësit janë ndëshkuar dhe sanksionuar pa asnjë arsye dhe mllefi i tyre është edhe më i arsyeshëm kur kemi fakte dhe dihet se shërbyesit civilë morën paga për shatorin e që ishin në grevë” – ka thënë Jasharaj duke shtuar se i kanë dërguar shkresë ministrit të Financave, Hekuran Murati, për të marrë vesh se në cilin ligj është bazuar Qeveria e Kosovës për ta marrë këtë vendim.

“SBASHK-u ka dërguar shkresë te ministri Murati dhe ka kërkuar vendim nëse ai ka argumente dhe thirret në cilindo ligj ne do ta bëjmë fillimisht procedurën tonë dhe do t’i drejtohemi organeve të drejtësisë por presim mbështetje edhe nga prindërit edhe nga Këshilli i Mbrojtjes së të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, edhe nga Avokati i Popullit, edhe nga presidentja, ngase edhe ajo ka pasur angazhime të ndërmjetësimit bashkë me Avokatin po presim një zë unik e të fuqishëm edhe nga deputetët pavarësisht subjekteve politike” – është shprehur ai.

I pari i SBASHK-ut ndër të tjera ka shtuar se nëse pagat nuk dalin deri më 5 tetor, atëherë do të mblidhet këshilli drejtues dhe do të merret një vendim për veprimet e mëtejshme.

“Kufiri për procesim të pagave është 5 tetori. Ne po urojmë që sot dhe nesër të ndodhë kjo. Nëse nuk ndodh pastaj ne do të përgatitemi, do ta thërrasim këshillin drejtues, ku janë përfaqësuesit e të punësuarve që nga çerdhet e deri në universitet. Do ta debatojmë situatën dhe cilindo vendim që merret me shumicë, kryesia e SBASHK-ut bashkë me mua do ta respektojmë. Nuk mund të jap supozime se çfarë do të jetë ai vendim” – ka vijuar Jasharaj.

Rrahman Jasharaj gjithashtu e ka komentuar idenë e dhënë nga Këshilli i Prindërve se nëse mësimdhënësve nuk u jepen pagat e muajit shtator, prindërit duhet të organizohen në çdo shkollë për të mbledhur fonde solidariteti për t’i ndihmuar financiarisht mësimdhënësit.

Jasharaj e ka komentuar këtë reagim duke thënë se ata nuk mund ta pranojnë një gjë të tillë.

“Në rrethana tjera mbase do të kuptohej si element njerëzor, mirëpo neve nuk na duhet lëmosha, ne po kërkojmë paga që janë në buxhetin e Kosovës dhe janë paga pikërisht nga djersa e të punësuarve” – është shprehur ai, duke shtuar se kjo mënyrë mund ta nxisë ndonjë prind që të kërkojë nota më të larta për fëmijët.

“Nuk mund të shkojmë në ide të tilla ngase kemi përvoja nga e kaluara. Ndonjë prind që ashtu-kështu një pjesë e madhe na kanë ofenduar dhe kritikuar, (ndonjë prind) mund ta përdorë atë ndihmën humanitare për të shkuar në shkollë dhe për të kërkuar nota më të larta” – ka përfunduar Jasharaj.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë për pagat e mësimdhënësve se kompensimi do të bëhet vetëm për punën e bërë.

Kurse të hënën kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se Ligji mbi Grevën nuk parasheh kompensim të grevistëve për ditët që nuk punojnë.

Ndër kërkesat e sindikalistëve është rritja e pagës prej 100 euro deri sa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat.

Ndërkaq, pas pezullimit të grevës, dje ka nisur mësimi në shkollat e Kosovës.