Arbërie Nagavci

Nagavci për pagat e mësimdhënësve: Kompensimi do të bëhet vetëm për punën e bërë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se komunat, të cilat janë përgjegjëse për organizim të arsimit parauniversitar, nuk kanë raportuar në Ministrinë e Financave.

Nagavci tha se komunat e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministrinë e Financave.

“Ndonëse komunat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, janë punëdhënëse dhe e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, një gjë të tillë nuk e kanë bërë”- ka thënë Nagavci.

Ministrja Nagavci potencoi se me kërkesë të ministrit të Financave, Hekuran Murati, i kanë dërguar ato të dhëna që i kanë pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHTI-t nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta.

Sipas ministres, ata që janë dëmtuar më së shumti nga greva e organizuar nga SBASHK-u, janë nxënësit.

Ajo shtoi se kanë lutur SBASHK-un të mos marrin hapa të pamenduar.

“Për më shumë se një vit, kemi zhvilluar dhjetëra takime me kryesinë e SBASHK-ut, i kemi lutur të mos marrin hapa të pamenduar pasi si Qeveri kemi adresuar shumë shqetësime të mësimdhënësve, kemi miratuar politika të reja e rritur buxhetin për arsim”-shtoi ajo.

“Kemi diskutuar me Kryesinë e SBASHK-ut se a do të kompensojë sindikata pagat e mësuesve ashtu siç ndodhë në shumicën e vendeve tjera dhe meqë ligji ndalon kompensimin për punën e pakryer”- ka shtuar me tej ministrja.

Arbërie Nagavci theksoi se përkundër diskutimeve me SBASHK-un, nuk ka pasur asnjë vëmendje nga ato që janë diskutuar, por pati organizmin greve për një muaj.

“Asnjë vëmendje e kujdes në këtë drejtim, përkundrazi një muaj grevë, shumë dëme për fëmijët, asnjë kujdes nga punëdhënësit, shumë zhurmë nga ata që kanë përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhet arsimi. Dhjetëra takime me vullnet të njëanshëm, me përpjekje të njëanshme për rezultate të synuara që të jenë të përbashkëta”- ka shkruar Nagavci.

Nagavci thekson se ligji duhet të respektohet në tërësi pasi kanë premtuar për diçka të tillë.

Ajo shtoi se do ketë edhe kompensim për punën e bërë.

“Ligji duhet të respektohet në tërësi, ne kemi premtuar për këtë dhe premtimet tona i mbajmë. Kemi marrë mandatin për të hartuar politikat e për t’i realizuar ato dhe s’do të ndalemi. Sot publikojmë Kalendarin e rishikuar për vitin shkollor për 22 ditë të humbura të mësimit”.

“Rezultatet në arsim do t’i përmirësojmë. Bashkëpunimi e dialogu social do të vazhdojë, me parime e korrektësi, në interesin më të mirë të fëmijëve.  Kompensim do të ketë. Kompensim për punën e bërë”- ka shtuar më tej ministrja.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka konfirmuar se vetëm ata që kanë punuar, do të marrin pagat e muajit shtator.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Kryeziu tha se për shtatorin pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë.

“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva” – ka thënë Kryeziu.

Qeveria konfirmon se vetëm ata që kanë punuar do të marrin pagat e shtatorit