Kusari-Lila: Sipas Ligjit nuk ka kompensim për grevistët
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se Ligji mbi grevën nuk parasheh kompensim të grevistëve për ditët që nuk punojnë.
“Me Ligjin mbi grevën e përcakton saktë edhe kompensimin apo moskompensimin, me ligjin mbi grevën parashihet që punëtorët qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat, ata të cilët janë pjesë e grevës së deklaruar, sipas rregullave të parapara me ligj, nuk kompensohen për ditët të cilat nuk janë në vendin e punës” – ka thënë Kusari-Lila.
E pyetur nëse ka gjasa që këtë muaj të mos ekzekutohen pagat, ajo ka thënë se këto pyetje duhet të drejtohen tek Ministria e Financave.
“Unë besoj që këto pyetje duhet të drejtohen tek institucionet relevante, tek agjencitë buxhetore përgjegjëse në nivelin komunal, apo tek ministria e Financave si ekzekutuese” – ka thënë Kusari-lila.
Në anën tjetër, ende nuk kanë dalë pagat e mësimdhënësve për muajin shtator.
Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com Reshit Kushaj, kryetar i Këshillit Qendror Grevist të SBAShK-ut.
“S’kanë dalë ende, por pritet me dalë” – tha ai.
Ndërkohë, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se është e padrejtë nëse atyre nuk u dalin pagat, pasi që ato kanë dalë për shërbyesit civilë, të cilët po ashtu kanë qenë në grevë.
Ekzekutimin e pagave për shërbyesit civilë, për KALLXO.com e konfirmoi edhe Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civil, Mursel Zymberi.
Ai tha se pagat për ta kanë dalë të premten.
Kuvendi i Kosovës të premten do të mbajë interpelancë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, për çështjen e ndalimit të pagave për grevistët.
Interpelanca është thirrur nga grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se kjo interpelancë që ndërlidhet me vendimin e Muratit për ndalimin e pagave dhe sipas tij, presionin në pushtetin lokal gjatë grevës.
“Për AAK-në është jashtëzakonisht e rëndësishme pika e parë që ka të bëjë me interpelancën për ministrin Murati, që ndërlidhet me vendimin e tij arbitar për ndalimin e pagave, për presionin në pushtetin lokal gjatë grevës dhe për ndërhyrjen në autonominë e komunave në atë kohë” – ka thënë ai.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka pezulluar të shtunën grevën e përgjithshme pas më shumë se një muaji.