Rizvanolli: Dita e sotme - më e vështira e krizës energjetike

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se dita e sotme ka qenë dita më e vështirë që nga fillimi i krizës energjetike.

Rizvanolli tha se aktualisht prodhohen vetëm 400 megavatë orë energji elektrike, nga rreth 1,200 e më shumë sa është kërkesa gjatë ditës.

“Deri dje kemi qenë duke vepruar me parashikimet e Task-Forcës. Mirëpo dje situata u përkeqësuar dukshëm me rastin e ndërprerjes se dy blloqeve dhe ka qenë jashtë çdo parashikimi si rrjedhojë është ndalur ngrohtorja e qytetit. KEK ka arritur që ta fusë në funksion edhe bllokun e tretë të “Kosova A”. Ne aktualisht prodhojmë vetëm rreh 400 megavatë orë nga 1,200 e më shumë sa kemi kërkesa gjatë ditës ”, tha Rizvanolli në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti dhe drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, lidhur me situatën energjetike në Kosovë.

Sipas ministres, lajmi i mirë është se fushata lajmëruese me këshilla për kursimin e energjisë ka filluar të ketë efekt.

“Dita e sotme ka qenë dita më e vështirë në këtë krizë energjetike deri tani dhe shpresoj që të mbetet dita më e vështirë sa i përket energjisë gjatë këtij dimri. Është një lajm i mirë që fushata e lajmërimit me këshilla për kursim të energjisë ka filluar të ketë efektet. Kulmi i konsumit të energjisë i cili zakonisht ndodh gjatë ditës, mbrëmë ka arritur në orën 23:00 me 1,300 megavat në orë”, u shpreh Rizvanolli.

Tutje ministrja Rizvanolli tha se janë duke bashkëpunuar me dy shtetet fqinje – Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Ne si ministri kemi bërë përpjekje që të bashkëpunojmë me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut dhe kam pasur takime biletariale me ta, për të parë mundësitë që ne të këmbejmë me këto dy shtete që ta kalojmë krizën të dy palët. Deri tani ka qenë e vështirë se këto përballen me krizë shumë më herët se ne, por jemi në komunikim. KEK-u ka bërë maksimumin, Ministria e Mjedisit dhe ZRrE-ja e ka trajtuar me prioritet licencimin e kapaciteteve të reja”, tha tutje ajo.

Në anën tjetër, Nagip Krasniqi, drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), deklaroi se Kosova ka qymyr mjaftueshëm.

Sipas tij, probleme ka pasur te termocentrali “Kosova B”, e si rrjedhojë thotë se ka ndikuar që ai të bjerë nga operimi.

“Sa i përket prodhimit të qymyrit, mund të ju garantoj se qymyr kemi mjaftueshëm dhe sasitë e tanishme janë rreth 420 mijë tonë në deponi. Jemi në gjendje të prodhojmë 800 mijë tonë qymyr. Sa i përket qymyrit nuk presim ndonjë pengesë në operim. Te termocentrali A, kemi futur 3 njësi në operim, ndonëse plani ka qenë që të futen 2, duke pasur parasysh krizën i kemi futur të 3. Te “Kosova B” kemi pasur probleme, dhe këto probleme kanë shkaktuar që të bjerë nga operimi, ajo që është premtuese që B 1 të kthehet nesër në mëngjes dhe më këtë presim që të kthehet edhe ngrohtorja e qytetit”, u shpreh Krasniqi.