Numrimi i votave - Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Rinumërimi i votave mund të zgjasë 12 deri në 14 ditë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar rinumërimin e fletëvotimeve për të cilat më 13.01.2026 u mor vendimi për t’iu nënshtruar këtij procesi.

914 vendvotime nga gjithsej 2,557 në të cilat është zhvilluar procesi i rregullt i votimit, do të rinumërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka konfirmuar për KALLXO.com se rinumërimi i këtyre 36% të vendvotimeve, mund të zgjasë 12 deri në 14 ditë.

“Në QNR numërimi do të bëhet në 20 tavolina numërimi dhe brenda një dite planifikohet të rinumërohen mesatarisht 80 kuti votimi. Numërimi i 914 vendvotimeve, që përbënë 36% të vendvotimeve, mund të zgjasë nga 12 deri në 14 ditë.”- deklaroi Elezi.

Në 10 komuna, rinumërohen të gjitha vendvotimet, kurse në 28 komuna të tjera rinumërohen nga 10% e vendvotimeve.

Rinumërimi i plotë bëhet në Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.

“Ky vendim i KQZ-së vjen pas gjetjeve nga verifkimi i votave të kandidatëve për deputetë nga 33 vendvotime të ndryshme, ku rezulon se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime.”- ka thënë Elezi.

KQZ ka thënë se rinumërimi ka për qëllim garantimin e saktësisë dhe integritetit të procesit zgjedhor e se synojnë verifikimin e çdo vote dhe sigurimin që rezultati përfundimtar të pasqyrojë vullnetin e qytetarëve drejtë.

Pjesëmarrja në zgjedhje sipas KQZ ka qenë 45.03% apo 900 mijë e 330 votues nga 1 milion e 999 mijë e 204 votues në Listën Votuese.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë ishte 1,999,204 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 77,086.

Procesi zgjedhor brenda vendit u zhvillua në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

Votimi në 29 përfaqësi diplomatike, në gjithsej 18 shtete ka ndodhur më 27.12.22025.

Procesi zgjedhor jashtë Kosovës u organizua në 16 ambasada dhe 13 konsullata të Kosovës që janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme, sipas të dhënave të KQZ-së. Atje patën të drejtë vote, 19,187 votuesit e regjistruar në 29 përfaqësi diplomatike.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpërndarë Kuvendin e Kosovës më 20.11.2025, pasi Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë qeverinë edhe pse zgjedhjet parlamentare ishin mbajtur më 09.02.2025.

Presidentja e kishte shpallur 28.12.2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Të dhënat e numërimit mund të qasen në këtë vegëz.

KQZ merr vendim për rinumërimin e 100% të votave në 10 komuna