Rexhepi: Komplekse - iniciativa për themelimin e Fondit Sovran

‘Komplekse’ e ka vlerësuar iniciativën për themelimin e Fondit Sovran, profesori i ekonomisë në UP, Sejdi Rexhepi.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se gjithë këto aktivitete që do t’i ketë ky Fond, nuk mund të realizohen brenda një periudhe të shkurtër kohore.

“Problemi nuk është se a duhet të kemi një Fond Sovran, por a pajtohemi që formën e tanishme të menaxhimit të ndërmarrjeve publike e cila po thuhet që nuk po menaxhohet siç duhet, a do të provojmë të bëjmë një reformë tjetër e cila do të mundësojë menaxhim më të mirë të këtyre aseteve” – tha Rexhepi.

Ai tutje shtoi se efekti, qoftë pozitiv apo negativ në ekonomi, shkon një kohë e gjatë, sipas tij, shkojnë 6-7 vjet.

“Derisa të ndërrohet krejt legjislacioni, deri të trajnohet stafi, bartja e pasurisë, vlerësimi i pasurisë që është tejet kompleks, derisa të krijohet tregu i kapitalit. S’pres që do  të kemi efekte brenda një periudhe të shkurtër” – tha Rexhepi.

Ai ka thënë se bordi i secilës ndërmarrje do të jetë jetë funksional.

“Mbi bordet e ndërmarrjeve do të jetë bordi ekzekutiv i Fondit Sovran, ndërsa mbi këtë do të jetë bordi mbikqyrës i bordit të Fondit, që e komplikon procesin e  menaxhimit” -tha Rexhepi.

Ndryshe, në mars të këtij viti është hartuar një draft i Projektligjit për Fondin Sovran.

Fondi Sovran, siç premtonte Kurti, do të zëvendësojë Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), duke marrë nën menaxhim ndërmarrjet publike në vend, të cilat aktualisht menaxhohen nga AKP.

Kurti kishte thënë se Fondi Sovran është projekti më i madh ekonomik që është bërë ndonjëherë në Kosovë..

 

Kurti: Fondi Sovran është projekti më i madh ekonomik në vend