Reagon Kosnett: Duhet ruajtur vendimet e gjykatës për punimet në Deçan

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett  ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në lidhje me punimet në rrugën Deçan-Plavë.

Ai përmes një postimi  në Twitter ka thënë se ndërtimi i kësaj rrugë ka të bëjë më ruajtjen e  vendimeve të gjykatës dhe respektimin e të drejtave të të gjithëve .

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese i kishte njohur Manastirit të Deçanit si pronë një hapësirë prej 24 hektarësh tokë në atë zonë.

“Ndërtimi i autostradës Deçan-Plavë ka të bëjë më shumë  se me tokën dhe qasjen. Bëhet fjalë për ruajtjen e vendimeve të gjykatës, respektimin dhe ruajtjen e të drejtave të të gjithëve për të praktikuar besimin e tyre dhe të jetojnë paqësisht me fqinjtë e tyre dhe vlerësimin e trashëgimisë së pasur dhe diversitetit kulturor të Kosovës”, ka shkruar ai,

Kosnett ka shtuar se takimi i sotëm në mes kryeministrit, Avdullah Hoti dhe kryetarit të komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj  është drejtimi i duhur.

“Bashkëpunimi dhe angazhimi për zgjidhje që respektojnë vendimin e gjykatës është e vetmja rrugë përpara që çon në një zgjidhje të vërtetë.  Takimi i kryeministrit sot me kryetarin Ramosaj është një hap në drejtimin e duhur”, ka thënë tutje në twitter, ambasadori Kosnett.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj me të cilin janë dakorduar për të pezulluar punimet e rrugës afër Manastirit të Deçanit.

Ky takim vie pasi dje, punimet në Deçan ishin zhvilluar me udhëzim të kryetarit të Deçanit, edhe pse qeveria kishte vendosur që punimet të pezulloheshin.

Pezullohen punimet në rrugën Deçan-Plavë