Deçan

Qeveria thotë se nuk i ka lejuar punimet në rrugën Deçan- Plavë

Punimet në rrugën Deçan-Plavë të cilat me vendim të Kryeministrit Avdullah Hoti ishin pezulluar të shtunën,  kanë filluar përseri .

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar i pari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

“Po punimet kanë fillu dje e janë duke vazhdu”, ka thënë shkurt Ramosaj për KALLXO.com

Megjithatë Qeveria e Kosovës vazhdon t’i  qëndoj mbrapa vendimi të saj për pezullimin e punimeve.

Xhavit Beqiri, Këshilltar për Media në Qeverinë Hoti ka thënë për KALLXO.com se punimet në rrugën Deçan-Plavë nuk janë lejuar dhe se vendimi i Qeverisë nuk ka lëvizur.

“ Ju referoheni për të gjitha, komunikatës që kemi lëshuar  ai është qëndrimi i kryeministrit dhe i qeverisë, nuk ka lëvizur asgjë nga ai vendim. Nuk janë lejuar punimet, jo ”, ka thënë Beqiri.

Kryeministri Avdullah Hoti, kishte kërkuar që të pezullohen punimet në rrugën R108, e cila, në një pjesë të saj, e prek zonën e veçantë të mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Dje, Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka njoftuar se rruga Deçan-Plavë do të ndërtohet duke respektuar ligjet e shtetit të Kosovës.

Sipas Hotit këto punime nuk do të ndikohen nga ‘zhurmat nëpër studio televizive’.

“Pa u ndikuar nga zhurmat nëpër studio televizive, ne do ta ndërtojmë rrugën Deçan-Plavë në bashkëpunim të ngushtë me Deçanin dhe të gjitha institucionet e tjera kompetente, duke respektuar ligjet e shtetit të Kosovës. Zhurma nuk është zgjidhje për shqetësimet e qytetarëve tanë, por puna, angazhimi dhe respektimi i normave ligjore dhe kushtetuese”, ka shkruar Hoti në facebook.