Ramosaj deklarohet pas takimit me ambasadorët e Quint-it

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, është deklaruar pas takimit që e kishte me ambasadorët e vendeve të Quint-it në lidhje me rrugën e kontestuar Deçan-Plavë.

Pas këtij takimi, ambasadat përmes një deklarate të përbashkët u bënë thirrje palëve që të  zbatohet ligji i vitit 2008 për Zonat e Veçanta të Mbrojtura si dhe të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të majit të vitit 2016 për çështjen e tokës në Deçan.

Ndërsa me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ Ramosaj ka thënë se zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëeve të Deçanit duhet ta respektojnë të gjithë.

“Ne jemi përkushtuar gjithmonë për të pasur lirinë dhe për të ndërtuar paqen, këtë e kemi dëshmuar tashmë. Ata ndjejnë kënaqësi kur na vrasin, masakrojnë, dhurojnë, kur na djegin dhe kur bëjnë gjenocid mbi neve”, ka shkruar Ramosaj.

“Fëmijët tonë në këtë qytet, do të rriten dinjitetshëm me standardin e duhur duke i shfrytëzuar resurset që Zoti ia fali këtij qytetit”.

Rruga Deçan-Plavë ka shkaktuar polemika në Kosovë, pasi komuna e Deçanit filloi ndërtimin e saj. Ndërsa kryeministri Avdullah Hoti kërkoi që të ndërpriten këto punime, pasi sipas tij, binte në kundërshtim me Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.