Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Reagon Edi Rama: Ne presim fjalën e KFOR-it që po heton rastin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar në lidhje me kidnapimin e 3 pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga autoritetet policore serbe.

Rama tha se shteti që ai udhëheq, ka linjën e njëjtë me bashkësinë euroatlantike “që bombardoi dhe krijoi shtetin e Kosovës”.

Ai tutje tha “kush kërkon t’i hedhim benzinë zjarrit duke ngritur akuza, nuk do t’ia dijë as për Kosovën e as për Shqipërinë”.

“Kush thotë se po heshtim apo kush kërkon t’i hedhim benzinë zjarrit duke ngritur akuza ndërkohë që KFOR-i po investigon rastin, nuk do t’ia dijë as për Kosovën e as për Shqipërinë, po vetëm për luftën e stërhumbur politike me mua apo për politikën e luftës imagjinare me Serbinë” – ka shkruar në Twitter kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Prandaj më duhet edhe njëherë t’u kujtoj se Shqipëria është pjesë e bashkësisë euroatlantike dhe ka fiks të njëjtën linjë të kësaj bashkësie, e cila bombardoi Serbinë dhe krijoi shtetin e Kosovës! Ne presim fjalën e KFOR-it që po heton rastin dhe i qëndrojmë de-eskalimit imediat”- ka shkruar tutje Rama në Twitter.

Policia e Kosovës njoftoi se të mërkurën në mesditë tre zyrtarë policorë kufitarë u kidnapuan nga forcat serbe në veri.

Policia e Kosovës ka njoftuar se lidhur me kidnapimin e tre zyrtarëve policorë janë njoftuar KFOR-i dhe të gjithë mekanizmat tjerë ndërkombëtarë.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka thënë se kanë kërkuar të bëhet trysni autoriteteve të Serbisë që policët të kthehen te familjet e tyre.

“Të gjitha informacionet janë shkëmbyer dhe janë nda edhe me partnerët tanë, që janë KFOR-i. KFOR është njoftuar dhe jem duke i koordinuar të gjitha aktivitetet me ta dhe janë duke kryer edhe ekzaminimet në terren. Janë njoftuar të gjithë mekanizmat ndërkombëtar duke kërkuar që t’u bëhet trysni autoriteteve të Serbisë që zyrtarët tanë të kthehen te familja e tyre” – ka thënë ai.