Foto: Nikolla Sandulloviq/X

Reagojnë Konjufca dhe Haxhiu pas rrahjes së politikanit serb, Nikolla Sanduloviq

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë reaguar në lidhje me rrahjen e politikanit serb Nikola Sanduloviq në Serbi.

Sanduloviq kohë më parë ka qenë në vizitë në Kosovë, përkatësisht në Prekaz dhe ka kërkuar falje për krimet e Serbisë në Kosovë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Konjufca ka thënë se përpjekja për të trembur politikanë si Sanduloviq, pikërisht pse e njeh sovranitetin e Kosovës dhe ka kërkuar falje për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve, sipas Konjufcës, vjen si sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë.

“Duke i dëshiruar shërim sa më të shpejtë z. Sanduloviq, e duke uruar që ai të dalë edhe më i vendosur nga ky sulm i rëndë, i bëj thirrje edhe komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë këtë akt dhe të ndërmarrë veprime frenuese të brutalitetit të shtetit serb, që është i orientuar sa drejt Republikës së Kosovës, aq edhe drejt figurave publike që i shërbejnë përparimit të marrëdhënieve tona” – ka shkruar Konjufca.

“Demokracia matet me elementet brendashtetërore, por edhe me krahasimet me vendet ku ajo tashmë është etabluar rrënjësisht. E në këtë kuptim, reagimi i vendeve demokratike kundrejt këtij akti të rëndë është tepër përcaktues”.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjithashtu ka reaguar në lidhje me rrahjen e politikanit serb.  Ajo në “X” ka thënë se Serbia është ende në vitet e ’90-ta dhe larg normalizimit të saj.

“Atje (Serbi) rrihet i vetmi opozitar Sanduloviq dhe tenton të eliminohet vetëm se e pranon të vërtetën e Kosovës. Komuniteti ndërkombëtar duhet ta dënojë këtë akt” – ka shkruar ajo.

 

Nikolla Sanduloviq, sipas avokatit Çedomir Stojkoviq, është ndaluar nga BIA “vetëm një ditë pasi ai në rrjetin social “X” kishte publikuar një postim, duke kërkuar falje për vrasjen e 50 anëtarëve të familjes shqiptare Jashari të Kosovës më 1998” dhe “vetëm 1 minutë pasi mediat e regjimit filluan fushatë të orkestruar kundër tij për atë postim”.

Sipas avokatit, ajo që ndodhi me Sanduloviqin është skenar i njëjtë me atë që bënte Sllobodan Millosheviq, ministër i të cilit ka qenë presidenti aktual Aleksandar Vuçiq.

Avokati serb: Torturohet nga BIA politikani që shprehu keqardhje për vrasjen e familjes Jashari