Reagimi i Tomë Gashit për vendimin e Prokurorisë për rastin Dehari

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, përmes një postimi në Facebook ka reaguar për vendimin e Prokurorisë së Shtetit që rasti i Astrit Deharit, nga Prokuroria në Prizren të kalojë në Prokurorinë Speciale për hetim të mëtejmë.

Gashi në postimin e tij ka shkruar se të gjithë personat e përfshirë në këtë rast do të ndiqen penalisht.

“Ngadalë, por sigurt. Të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në çfarëdo mënyrë në vrasjen e Astrit Deharit, shtyrjen për vrasje, fshehjen e vrasjes, do të ndiqen penalisht”, ka shkruar Gashi.

Ai tutje ka shkuar se hetuesit që sipas tij e ndryshuan qëllimisht kahjen e hetimit, nuk do të kenë qasje në këtë lëndë.

“Rasti nuk është më në Prokurorinë në Prizren, dhe as hetuesit që e ndryshuan qëllimisht kahjen e hetimit nuk do të kenë më qasje në lëndën e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, që u vra për arsye politike”, ka shkruar Gashi.

Rasti i aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, nga Prokuroria Themelore në Prizren, ka kaluar në Prokurorisë Speciale.

Ky vendim është marrë sot nga kryeprokurori i shteti Aleksandër Lumezi.

“Pas analizimit të prononcimeve në media të familjes së të ndjerit, Astrit Dehari, dhe përfaqësuesit të tyre ligjor, natyrës specifike dhe urgjente të këtij rasti, si dhe në funksion të zhvillimit me efikasitet të procedurës penale dhe evitimit të mëdyshjeve rreth mundësisë së shkeljes së parimit të paanshmërisë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës caktohet të bëjë trajtimin e mëtejshëm procedural të kësaj çështjeje penale”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Sipas njoftimit, bartës i kësaj lënde do të jetë u.d. Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Afrim Shefiku, dhe do të mbështetet nga prokurorët e Prokurorisë Speciale.

“Ndërkaq, mbikëqyrja e këtyre prokurorëve në trajtimin dhe progresin e veprimeve të ndërmarra në këtë çështjeje paraprake penale do të bëhet nga prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në njoftim.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit bën të ditur se bartësi i kësaj lënde autorizohet të kërkoj që i tërë rasti penal të bartet nga Departamenti i Hetimeve të Krimeve të Rënda në Prizren në Drejtoratinë Qendrore të Policisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë.

Prokurori i Shtetit ka siguron familjen Dehari dhe opinionin publik se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvilloj hetime të pavarura, profesionale dhe kredibile në ndriçimin e plotë të këtij rasti.

Sylë Hoxha: Astrit Dehari ka Vdekur nga Asfiksia