Pamje nga seanca e sotme e rastit "Stenta 2" - Foto: KALLXO.com

Rasti "Stenta 2", Prokuroria kërkon dënimin e 36 të akuzuarve, mbrojtja lirimin e tyre

Rasti gjyqësor i njohur si “Stenta 2” ka vazhduar me dhënien e fjalëve përfundimtare nga palët në procedurë.

Seanca e paraparë për dje është mbajtur sot pas kërkesës së mbrojtësve të të akuzuarve për kohë shtesë për analizimin e ndryshimit të një dispozite të aktakuzës nga Prokuroria.

Sipas aktakuzës, 36 të pandehurit akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare  – dhënie e marrje ryshfeti, në atë mënyrë që pacientëve iu lëshoheshin letra refuzuese me qëllim të trajtimit të tyre jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Sipas Prokurorisë ishin lëshuar rreth 233 letra refuzuese.

Në fjalën përfundimtare të dorëzuar në seancën e kaluar, prokurorja Florije Shamolli njoftoi trupin gjykues për një ndryshim në një dispozitiv të aktakuzës.

Ky ndryshim, sipas fjalës përfundimtare të prokurorisë, del të jetë vlera prej 11 mijë e 430 euro që iu shkaktua dëm buxhetit të shtetit nga veprimet që i kishin kryer të pandehurit.

Me të filluar seanca gjyqësore, mbrojtësit e të akuzuarve fillimisht kishin kundërshtime lidhur me këto ndryshime.

Lidhur me ndryshimin e bërë nga Prokuroria, mbrojtësi i të akuzuarit Petrit Ademaj, Dukagjin Kërveshi, tha se Prokuroria ka bërë zgjerim të aktakuzës duke përfshirë periudhën kohore të inkriminimit e cila në aktakuzë ishte nga viti 2012 kurse në ndryshimin e prezantuar del të jetë nga 1 janari i vitit 2011.

“Nga përmbajtja e dispozitivit të prezantuar ne fjalën përfundimtare, prokurorja ka bërë zgjerimin e aktakuzës, duke e zgjatur periudhën kohore të inkriminimit e cila me aktakuza ka fillu më 1 tetor 2012 ndërsa tani është prezantuar nga 1 janari i 2011 e që i bie 21 muaj më gjatë kisha me kërkuar që  Gjykata të ia mundëson prokurores të deklarohet për këtë periudhë kohore të zgjeruar, a është gabim teknik apo është bërë me qëllim zgjerim”- tha Kërveshi.

Ndërsa i akuzuari Lulzim Kamberi tha se ky ndryshim i aktakuzës përbën shkelje të dispozitave ligjore, e me këtë veprim është riformuluar aktakuza, duke përmbajtur në vete shkelje kushtetuese.

Në fjalën përfundimtare prokurorja kërkoi dënimin e të akuzuarve, e cila tha se sipas ligjit është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer vepra penale për të cilat akuzohen.

Prokuroria madje përmendi edhe pjesën se cila kishte qenë indicie që kishte shtyrë Prokurorinë për fillimin e hetimeve

“Kemi ardhë në përfundim se këta persona që kanë qenë si anëtarë të komisionit konsular kanë lëshuar disa letra refuzuese duke mos iu përmbajtur Ligjit për shëndetësi andaj këto dy spitale private, arsyeja pse Prokuroria filloi këtë hetim ta bëjë ka qenë një informacion për shkak se këto spitale fituan shumë dhe njerëzit filluan të ankohen se a kanë nevojë për stenta apo nuk kanë, kjo ka qenë arsyeja për fillimin e hetimit” – tha prokurorja Shamolli.

Prokurorja tha se për stentim merreshin 500 euro kurse për koronografi merreshin 150 euro.

Tutje, vetëm trembëdhjetë mbrojtës të të akuzuarve arritën që të përfundonin dhënien e fjalës përfundimtare në këtë seancë. Ata kërkuan lirimin e të mbrojturve të tyre nga akuzat e Prokurorisë.

Pjesa tjetër e mbrojtësve do ta japin fjalën përfundimtare në seancën e cila është paraparë të mbahet nesër.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë Gani Bajraktari, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Daut Gorani, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nehbi Musliu, Dardan Koqinaj, Avni Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lezer Prekpalaj, Rexhep Manaj, Nehat Rexhepaj, Florim Sadiku, Lulzim Kamberi, Halim Haliti, Agron Leka, Agron Besimi, Galina Berisha, Bajram Mziu, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Besim Guda, Bajram Preteni, Ismajl Avdimetaj, Petrit Ademaj, Aferdita Selmanaj, Salih Shala, Luan Pazhari.

Në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Reshat Emra, por i njëjti ka ndërruar jetë dhe kundër tij ka pushuar procedura.

Pjesë e këtij grupi të të akuzuarve ishte edhe Daut Gorani. Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, palët në procedurë janë pajtuar që ndaj tij të veçohet procedura.

Rasti “Stenta” ishte njëri nga rastet më të mëdha korruptive të cilin pretendonte se e kishte zbuluar Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në ketë rast ishin akuzuar mbi 60 persona, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë publikë e punonjës shëndetësorë, të cilët kishin përfunduar në akuza të Prokurorisë Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie e ryshfetit, trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor, ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shmangie nga tatimi.

Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzoheshin se kanë lëshuar letra-referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, së paku 233 personave.

Për shkak të numrit të madh të të akuzuarve dhe menaxhimit më të lehtë me rastin, në shkurt të vitit 2018 rasti ‘Stenta’ u nda në tri pjesë, të akuzuarit, ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretari i përgjithshëm i kësaj Ministrie, Gani Shabani, u gjykuan veçmas në rastin ‘Stenta 1’,  tani 37 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si ‘Stenta 2’, ndërsa pronarët dhe mjekët e spitaleve private janë pjesë e rastit ‘Stenta 3’.

Raportimet e KALLXO lidhur me këtë rast i gjeni në këtë LINK.